Bota

Bushati për negociatat me BE-në: Viti 2018, vendimtar për Shqipërinë

Presim që viti 2018 të jetë vendimtar për Shqipërinë. Ne besojmë se hapja e bisedimeve për anëtarësim(në BE) do të sigurojë më tej një sens orientimi në transformimin evropianizues që kemi ndërmarrë"

Fatjon Cuka  | 15.11.2017 - Përdıtësım : 16.11.2017
Bushati për negociatat me BE-në: Viti 2018, vendimtar për Shqipërinë Fotoreporter: Dursun Aydemir / AA

Bruksel

BRUKSEL (AA) - Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndodhet në Bruksel në kuadër të takimit të Këshillit të Stabilizim–Asocimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku ai është takuar me përfaqësuesen e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, raporton Anadolu Agency (AA).

Mogherini në konferencën për mediat të mbajtur me shefin e diplomacisë shqiptare, ka theksuar se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

"BE do të ofrojë mbështetje për Shqipërinë për zbatimin e reformës në drejtësi. Presim që viti 2018 të ofrojë një mundësi unike për rajonin dhe Shqipërinë. Procesi i integrimit është i pakthyeshëm", tha përfaqësuesja e lartë e BE-së.

Ajo ka theksuar se me kryediplomatin e Shqipërisë kanë diskutuar edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se BE për rajonin ka forcuar angazhimin e tij si Union.

Ndërsa Bushati theksoi se gjatë takimit janë shkëmbyer pikëpamje për progresin që sipas tij ka bërë Shqipëria në procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

"Konstatojmë së bashku me shërbimet e Komisionit Evropian që tashmë ka një proces të konsoliduar përsa i përket zbatimit të të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga ky proces. Presim që viti 2018 të jetë vendimtar për Shqipërinë. Ne besojmë se hapja e bisedimeve për anëtarësim(në BE) do të sigurojë më tej një sens orientimi në transformimin evropianizues që kemi ndërmarrë", theksoi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Ministri Bushati u shpreh se është diskutuar edhe për luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht për luftën kundër kabanisit.

Kujtojmë se gjatë një vizite disa ditë më parë në Shqipëri, komisioneri evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, në lidhje me të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha se BE do të ketë një strategji për këtë proces.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın