Bota

Çavuşoğlu: YPG/PKK janë të rrezikshme për të ardhmen e Sirisë

"Turqia lufton vetëm kundër organizatave terroriste si PKK, PYD/YPG, DEASH, Al Kaeda dhe Al Nusra. Organizatat terroriste YPG/PKK janë një rrezik për të ardhmen e Sirisë"

Evren Aydemir  | 18.02.2018 - Përdıtësım : 19.02.2018
Çavuşoğlu: YPG/PKK janë të rrezikshme për të ardhmen e Sirisë Foto: Andreas Gerbert / AA

Mynih

MYNIH (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se organizatat terroriste YPG/PKK janë një rrezik për të ardhmen e Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Çavuşoğlu, ka marrë pjesë në panelin me temë "Zgjerimi i Gjirit" në kuadër të Konferencës së 54-t Ndërkombëtare të Sigurisë e cila vazhdon në Mynih të Gjermanisë.

Kryediplomati i Turqisë gjatë një fjalimi ka theksuar se "YPG/PKK janë të rrezikshme për të ardhmen e Sirisë".

Pasi ka tërhequr vëmendjen se nuk janë të drejta deklaratat se Turqia lufton kundër kurdëve, Çavuşoğlu, theksoi se Turqia lufton vetëm kundër organizatave terroriste si PKK, PYD/YPG, DEASH, Al Kaeda dhe Al Nusra. 

Ai tha se për çështjen e Sirisë kanë zhvilluar bisedime edhe vitin e kaluar, por nuk është arritur ndonjë zhvillim, dhe ka rikujtuar gjithashtu se edhe në Jemen po përjetohet një fatkeqësi njerëzore e cila nuk po mbahet shumë në rendin e ditës.

Shefi i diplomacisë turke deklaroi se situata në Libi është e brishtë dhe se për këtë vend duhet të vazhdojnë përpjekjet e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Përveç kësaj, Çavuşoğlu tha se shpallja e Kudsit nga SHBA-ja si "kryeqytet i Izraelit" shkaktoi një tension të ri midis Izraelit dhe palestinezëve, si dhe këtyre tensioneve i është shtuar edhe kriza e vendeve të Gjirit.

"Stabiliteti i këtij rajoni është shumë i rëndësishëm për ne", tha Çavuşoğlu, duke njoftuar se mosmarrëveshjet në Lindjen e Mesme prekën negativisht përpjekjet në Siri. 

- "Është një gabim i madh"

Çavuşoğlu tha se ata kanë biseduar se si do të ndërtohen strukturat politike dhe të zgjedhjeve në Siri. Ai ka bërë të ditur se sërish nuk ka një strategji të drejtë midis vendeve të koalicionit që luftojnë kundër terrorizmit dhe se po luftojnë gjithashtu kundër DEASH-it edhe vendet me probleme me njëri-tjetrin, si SHBA dhe Irani. 

"Është një gabim i madh të zgjedhësh një organizatë tjetër terroriste si DEASH për të mposhtur një organizatë terroriste", tha Çavuşoğlu, duke theksuar se ky ishte një gabim i qeverisë së mëparshme dhe aktuale të SHBA-ve. 

Duke rikujtuar se vendet të cilat fillimisht mbështetën talebanët në Afganistan kundër rusëve, ata më pas mbetën të detyruar që të luftonin edhe kundër këtyre, Çavuşoğlu ka theksuar se mbështetja e një organizate terroriste kundër një organizate tjetër terroriste vendos në rrezik të ardhmen dhe sovranitetin territorial të një vendi. 

- "Shpresoj që Amerika këtë herë të mbajë fjalën"

Pasi ka parashtruar pyetjet "Përse keni mbrojtur YPG-në? Përse i keni dhënë kaq shumë armë YPG-së? Për të mundur DEASH-in?, Çavuşoğlu ka rikujtuar se kryetari i kongresit të asirianëve është shprehur që YPG po përgatit fëmijë për të luftuar kundër Turqisë.

"Ndërsa tani YPG/PKK ka liruar terroristët e DEASH-it dhe luftojnë krah për krah kundër ushtarëve turq. Është e papranueshme që vendet aleate të mbështesin YPG/PKK-në", ka theksuar Çavuşoğlu.

Duke bërë të ditur se në Siri ndodhen shumë vende me axhenda të ndryshme dhe se për këtë arsye duhet të vazhdojnë negociatat, Çavuşoğlu është shprehur: "Pas vizitës së fundit të Rex Tillerson, arritëm disa marrëveshje. Shpresoj që Amerika këtë herë t'i zbatojë, të mbajë fjalën". 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın