Bota

Henije: Kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta për ta ndaluar vendimin e SHBA-ve

Lideri i Hamasit, Ismail Henije: Në këtë fazë, kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta dhe forcim të koordinimit sikur asnjëherë më parë, në mënyrë që të ndalohet ky vendim

Ali Semerci  | 13.12.2017 - Përdıtësım : 14.12.2017
Henije: Kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta për ta ndaluar vendimin e SHBA-ve

Gaza

GAZA (AA) - Shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Henije, në një bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit të Jordanisë, Atif et-Taravine, ka theksuar nevojën për përpjekje të përbashkëta dhe koordinim për shfuqizimin e vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi me shkrim nga Hamasi, Henije ka theksuar se refuzon cenimin e rolit të Jordanisë mbi Kudsin dhe vendet e shenjta islame.

"Në këtë fazë, kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta dhe forcim të koordinimit sikur asnjëherë më parë, në mënyrë që të ndalohet ky vendim", ka thënë Henije.

Henije ka theksuar se vendimi i SHBA-ve paraqet sulm jo vetëm për Palestinën dhe Jordaninë, por për gjithë botën islame, duke e vlerësuar pozitivisht qëndrimin e Mbretit të Jordanisë Abdullah dhe kuvendit jordanez kundër vendimit në fjalë.

Nga ana tjetër, Taravine ka theksuar se kauza palestineze është kauzë kombëtare për Jordaninë dhe se kauza e Kudsit zë vend të parë për Mbretin Abdullah.

Ai është shprehur se është duke i vazhduar përpjekjet me të gjithë parlamentarët në botë për ta ndaluar vendimin e SHBA-ve, duke vënë theksin mbi rëndësinë e vazhdimit të kontakteve të vazhdueshme dhe koordinimit.

Ndryshe, sipas Marrëveshjes së nënshkruar në Luginën Arabe më 26 tetor të vitit 1994 mes Izraelit dhe Egjiptit, Mesxhid-i Aksa dhe vakëfet në Kuds u morën nën përkujdesjen e Administratës së Vakëfeve të Kudsit që vepron nën Ministrinë jordaneze të Vakëfeve, Vendeve të Shenjta dhe Çështjeve Islame.

Më 6 dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 1980 nuk e njeh aneksimin e Kudsit Lindor dhe shpalljen e qytetit si kryeqytet të Izraelit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın