Bota

"Kampet në Bangladesh nuk kanë dallim nga bombat e kurdisura"

Presidentja e Organizatës "Mjekët pa kufi", Joanne Liu lidhur me kampet në Bangladesh ku janë strehuar muslimanët e Arakanit thotë se ka një deficit të madh në aspektin e ndihmave shëndetësore dhe humanitare

Dildar Baykan  | 24.10.2017 - Përdıtësım : 25.10.2017
"Kampet në Bangladesh nuk kanë dallim nga bombat e kurdisura"

Ankara

ANKARA (AA) – Presidentja e Organizatës "Mjekët pa kufi" (MFS) Dr. Joanne Liu lidhur me kampet në Bangladesh ku janë strehuar muslimanët e Arakanit thotë se ka një deficit të madh në aspektin e ndihmave shëndetësore dhe humanitare në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga MSF thuhet se Liu dje në “Konferencën për ndihmë të Refugjatëve të Arakanit” të organizuar nën kryesimin e Bashkimit Evropian dhe të Kuvajtit, në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe Zyrën e OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare të OKB-së, ndau përshtypjet e saj për kampet e refugjatëve në qytetin Cox’s Bazar të Bangladeshit.

Duke bërë të ditur se në dy muajt e fundit më shumë se 600 mijë muslimanë të Arakanit kanë kaluar në Bangladesh, Liu thotë se “Kjo valë e madhe e migrimit nuk duket se do të përfundojë në një të ardhme të afërt. Vetëm në dy javët e fundit edhe 40 mijë persona nga Mianmari shkuan në Bangladesh. Këto shifra tregojnë se dhuna në Arakan ende nuk ka mbaruar”.

Ajo tha se kushtet jetësore ku po strehohen muslimanët e Arakanit janë tepër të vështira. Liu thotë se “Është shumë e vështirë ta kuptosh se sa e madhe është kjo krizë pa e parë personalisht”.

Liu po ashtu theksoi se aktivitetet e ndihmave humanitare në rajon janë tejet të pamjaftueshme. “Ka një deficit të madh në aspektin e ndihmave shëndetësore dhe humanitare në rajon. Këto kampe në aspektin e shëndetësisë së popullit nuk kanë dallim nga bombat e kurdisura”, thotë ajo.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Bangladeshit që t’i mbajë të hapur kufijtë për muslimanët e Arakanit dhe bashkësisë ndërkombëtare për ta mbështetur këtë angazhim. Detyrë dhe përgjegjësi e donatorëve është dërgimi i ndihmave të nevojshme për të parandaluar një fatkeqësi të shëndetit publik. Ne mund ta parandalojmë këtë fatkeqësi vetëm duke i përmbushur nevojat jetike të një populli, i cili ka përjetuar dhunë, përdhunime dhe masakra”, tha ajo.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka njoftuar se se donacioni i mbledhur në “Konferencën për Ndihmë Ndërkombëtare për Refugjatët e Arakanit” është në vlerë prej 344 milionë dollarësh.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar afër 300 fshatra.

Dhjetëra mijëra muslimanë nga Arakani përpiqen të largohen nga rajoni për shkak të sigurisë së jetës. Civilët që largohen nga Mianmari kalojnë në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonave malore.

Numri i muslimanëve të Arakanit që janë strehuar në Bangladesh që nga fillimi i dhunës më 25 gusht, është rritur në 603 mijë.










Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın