Bota

Merkel i kërkon BE-së të zvogëlojë fondet e para-aderimit për Turqinë

“Unë do të avokoj për kufizimin e fondeve të paraa-aderimit të BE-së për Turqinë”, tha Merkel

Ayhan Şimşek  | 19.10.2017 - Përdıtësım : 20.10.2017
Merkel i kërkon BE-së të zvogëlojë fondet e para-aderimit për Turqinë

Berlin

BERLIN (AA) – Kancelarja gjermane Angela Merkel ka sugjeruar zvogëlimin e fondeve të para-aderimit të Bashkimit Evropian (BE) për Turqinë në vend që të kërkojë për t’i dhënë fund procesit të anëtarësimit të Ankarasë me BE-në, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para një takimi të nivelit të lartë të krerëve të BE-së në Bruksel, Merkel shpalosi një pozicion mbi lidhjet e ardhshme midis BE-së dhe Turqisë.

“Unë do të avokoj për kufizimin e fondeve të para-aderimit të BE-së për Turqinë”, tha Merkel.

Në vazhdim, Merkel tha se kishte kërkuar një diskutim mes krerëve të BE-së mbi situatën e të drejtave të njeriut në Turqi dhe të ardhmen e procesit të anëtarësimit të Ankarasë në BE.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga partitë kryesore gjermane për t’i dhënë fund bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë në BE, Merkel shmangi sjelljen e një propozimi të tillë në rendin e ditës.

Kancelarja gjermane theksoi se vendet anëtare të BE-së duhet të ruajnë unitetin e tyre dhe të marrin një qëndrim të unifikuar mbi Turqinë.

Pavarësisht thirrjeve të socialdemokratëve dhe liberalëve gjermanë për ndalim të menjëhershëm të bisedimeve të Ankarasë për anëtarësim në BE dhe për ngrirjen e 4 miliardë eurove në fondet e para-aderimit, shumica e shteteve anëtare të BE-së refuzuan propozime të tilla, si dhe mbështetën dialogun me Ankaranë.

Çdo vendim për të përfunduar bisedimet e anëtarësimit të Turqisë do të kërkonte unanimitet midis të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Deri tani vetëm Austria ka mbështetur haptazi ngrirjen e bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë në BE.

Merkel vlerësoi ndihmën e Turqisë për refugjatët

Duke kritikuar Ankaranë për mosmarrëveshjet në çështjet e demokracisë dhe sundimit të ligjit, Merkel vlerësoi përpjekjet e Turqisë për refugjatët sirianë dhe riafirmoi angazhimin e Gjermanisë ndaj marrëveshjes së refugjatëve BE-Turqi.

“Turqia ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për refugjatët”, theksoi ajo dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të respektojnë angazhimet e tyre sipas marrëveshjes.

Siç tha ajo, tashmë janë premtuar 3 miliardë euro shtesë për vitet e ardhshme, përveç 3 miliardë eurove që tashmë janë vënë në dispozicion.

“Ne duhet të pajtohemi me premtimin tonë”, shtoi Merkel, duke theksuar se ky fond është përdorur për të përmirësuar kushtet e jetesës së refugjatëve.

Merkel prej kohësh ka qenë një mbështetëse kyçe e marrëveshjes BE-Turqi të arritur në mars të vitit 2016, e cila synonte të dekurajonte migracionin e parregullt përmes Detit Egje, duke vendosur masa të rrepta kundër trafikantëve të njerëzve dhe përmirësimin e kushteve të rreth tre milion refugjatëve sirianë në Turqi.

Edhe pse plani ka reduktuar me sukses flukset e migracioneve të parregullta dhe erdhi si një lehtësim i rëndësishëm për Merkelin në politikën e brendshme, BE nuk ka arritur të dorëzojë me kohë fondet e premtuara.

Deri në qershor të vitit 2017, BE nënshkroi kontrata për 48 projekte nga të cilat vlera e përgjithshme tejkalonte 1.6 miliardë euro. Deri më tani, 811 milion euro nga shuma e zotuar 3 miliardë euro janë disbursuar.

Sipas marrëveshjes BE-Turqi, shtetet evropiane duhet të mobilizojnë një fond shtetsë prej 3 miliardë euro deri në fund të vitit 2018.

Turqia pret më shumë refugjatë sirianë se çdo vend tjetër në botë. Ankaraja thotë se ka shpenzuar më shumë se 20 miliardë dollarë nga burimet e veta kombëtare për të ndihmuar dhe strehuar refugjatët që nga fillimi i luftës civile siriane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.