Bota

"Synimi i Mianmarit është të na zhdukë në tërësi"

Muhammed thotë se synimi i Mianmarit nuk është të dënohen disa fajtorë apo të asgjësohen disa muslimanë, por shton se "Synimi i Mianmarit është të na zhdukë ne në tërësi"

31.08.2017 - Përdıtësım : 01.09.2017
"Synimi i Mianmarit është të na zhdukë në tërësi" Fotoreporter: Adem Şalvarcıoğlu / AA

Xhakartë

XHAKARTË (AA) - Adem Şalvarcıoğlu,Mahmut Atanur

Karimullah Muhammed, refugjat nga Arakani i cili para shtatë viteve kishte ikur në Indonezi për shkak të dhunës së ushtruar nga ushtria e Mianmarit, thekson se qëllimi i shtetit të Mianmarit duke ushtruar dhunë ndaj muslimanëve Rohingya është t'i zhdukë në tërësi ata.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) lidhur me tiraninë me të cilën janë ballafaquar muslimanët e Arakanit, Muhammed tregon se shumë të afërm të tij janë masakruar si pasojë e sulmeve të fundit të ushtrisë në Arakan.

Ai tregon se ende shumë të afërm të tij, përfshirë edhe motrën e tij, gjenden në Arakan. "Çdo orë kontaktoj me ta. Këtu i kam duart e lidhura. Nuk kam tjetër çfarë të bëj pos që të lutem", shton Muhammed.

"Po bëhet një masakër e paprecedent"

"Nuk më duron më zemra t'i shoh çdo ditë fotografitë dhe xhirimet e njerëzve të mi të masakruar. Prej një javësh, ushtria e Mianmarit po bën një masakër të paprecedent", thotë Muhammed. "Sipas të dhënave që kam marrë nga persona që njoh të cilët janë sulmuar, mbi tre mijë muslimanë janë masakruar dhe afër 100 fshatra janë djegur", shtoi ai.

Muhammed i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar t'u dalë në ndihmë muslimanëve të Arakanit. "A do të heshte bota sikur kjo masakër thuajse e heshtur do të ndodhte në ndonjë shtet tjetër? Cili është faji ynë? Mianmari i informon shtetet e tjera se grupet muslimane po sulmojnë dhe përdhunojnë popullatën budiste. Shumë media bëjnë lajm nga këto informacione sikur ato të ishin të vërteta. Këto informacione janë tërësisht të rreme", thekson Muhammed.

"Si mund një grup musliman pakicë e cila prej vitesh ballafaqohet me dhunë të guxojë të bëjë një gjë të tillë? Të supozojmë se një musliman ka bërë një krim të tillë. Për këtë ekziston ligji dhe gjykata. Duhet dënuar vetëm ai. Është në kundërshtim me te drejtat e njeriut të fajësohen dhe masakrohen të gjithë muslimanët Rohingya", shton Muhammed.

Muhammed më tej thotë se synimi i Mianmarit nuk është të dënohen disa fajtorë apo të asgjësohen disa muslimanë. "Synimi i Mianmarit është të na zhdukë ne në tërësi", konsideron Muhammed.

Sipas Muhammed, edhe pse popullsia e muslimanëve të Arakanit është një milion e 300 mijë, qeveria e Arakanit e pasqyron këtë shifër në 800 mijë në mënyrë që të asgjësojë 500 mijë persona.

Ai thotë se pamjet e xhiruara nga dhuna e ushtruar ndaj muslimanëve tregon vetëm një pjesë të vogël të masakrës.

"Jemi mirënjohës ndaj Erdoğanit"

Muhammed ndihet i pikëlluar nga heshtja e botës islame përballë kësaj masakre. Ai thotë se Turqia ka ngritur zërin më fuqishëm për t'u dalë në mbrojtje muslimanëve, si në Arakan, njashtu edhe në Siri dhe Palestinë.

"Jemi mirënjohës ndaj Erdoğanit, i cili ka qëndruar më fuqishëm kundër dhunës së fundit ndaj muslimanëve të Arakanit", shprehet Muhammed, duke shtuar se ndihmat dhe lutjet e Turqisë për muslimanët e Arakanit kanë qenë gjithnjë të pranishme dhe se tani kanë nevojë për ndihmë më shumë se asnjëherë më parë.

"Indonezia mund të ndjekë politikën e Turqisë në Siri"

Sipas Muhammed, është krenari për muslimanët fakti që Turqia u ka hapur dyert miliona sirianëve që kishin ikur nga sulmet e regjimit të Bashar al Asadit. Ai thotë se edhe Indonezia në mënyrë të njëjtë mund t'ua zgjasë dorën e ndihmës muslimanëve Rohingya.

Duke iu drejtuar presidentit të Indonezisë, Joko Widodo, ai thotë se Indonezia u ka hapur dyert shumë refugjatëve dhe se janë ndihmuar nga ky shtet.

"Megjithatë, synohet vrasja e të gjithë muslimanëve Rohingya. Nëse tani nuk ndihmohet, gjenocidi i Mianmarit do të realizohet. Indonezia është shtet musliman me shumë ishuj. Shpresojmë që Indonezia t'ua hapë dyert muslimanëve Rohingya, njëlloj sikurse Turqia ua hapi refugjatëve sirianë", thotë Muhammed.

Ai nënvizon nevojën që komuniteti ndërkombëtar të mobilizohet kundër gjenocidit të Mianmarit.

"Njerëz të pafajshëm po masakrohen duke u djegur dhe prerë. Gratë po përdhunohen, foshnjet po vriten dhe po hidhen në lum. Unë nuk mund ta kuptoj se si shtetet e tjera ngelin të heshtura sikur nuk po ndodh asgjë. Teksa edhe kafshët kanë të drejtë të jetojnë në pyll, a nuk kanë edhe muslimanët Rohingya të drejtë të jetojnë në këtë botë?", shprehet Muhammed për AA.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın