Bota

Turqia dhe Gjermania dakord për të përmirësuar marrëdhëniet

Ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Gjermanisë u takuan në Mynih, duke u zotuar për dialog dhe bashkëpunim më të afërt

Ayhan Şimşek  | 17.02.2018 - Përdıtësım : 17.02.2018
Turqia dhe Gjermania dakord për të përmirësuar marrëdhëniet

Mynih

MYNIH (AA) - Ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Gjermanisë kanë rënë dakord të premten për të punuar drejt përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe pas një periudhe tensionesh midis Ankarasë dhe Berlinit, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për gazetarët në Mynih pas një takimi me homologun e tij gjerman Sigmar Gabriel, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha se kanë rënë dakord për thellimin e dialogut dhe bashkëpunimit.

"Si ministra të Jashtëm, ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të forcuar dhe thelluar marrëdhëniet tona dypalëshe mes Turqisë dhe Gjermanisë si dhe bashkëpunimin në shumë çështje rajonale", tha Çavuşoğlu.

Takimi, i cili u mbajt në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, koincidoi me lirimin e gazetarit gjermano-turk Deniz Yucel, i cili u arrestua në Turqi vitin e kaluar me dyshimin për përhapje të propagandës terroriste.

Çavuşoğlu theksoi se lirimi i Yucel ishte një vendim i pavarur i gjykatës dhe qeveria nuk kishte ndonjë ndikim mbi vendimin.

Ai vuri në dukje se qeveria e tij vetëm i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të përshpejtonte procedurat.

Periudha e gjatë e burgimit të Yucel, korrespondentit të të përditshmes gjermane "Die Welt", ka qenë një shkak i rritjes së tensioneve midis dy vendeve.

Pavarësisht thirrjeve nga politikanët gjermanë për lirimin e Yucel, qeveria turke hodhi poshtë çdo ndikim politik mbi gjyqësorin dhe i këshilloi ata të prisnin vendimin e gjykatave të saj.

Gjykata e Lartë në Stamboll të premten urdhëroi lirimin e Yucel për t'u mbrojtur në liri.

"Kemi kapërcyer një nga çështjet mes nesh. Tani duhet të përqendrohemi në një axhendë më pozitive", theksoi Çavuşoğlu.

Gabriel falënderon qeverinë turke

Ministri i Jashtëm gjerman, Gabriel, gjithashtu përshëndeti lirimin e Yucel.

"Unë e di që ky ishte një vendim i pavarur i gjykatës", tha ai, duke falënderuar qeverinë turke për ndihmën në përshpejtimin e procedimeve.

"Ky është një sinjal se diplomacia mund të zgjidhë çështje të vështira", tha ai.

Gabriel tha se Gjermania dhe Turqia do të rrisin dialogun dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, energjinë dhe sigurinë dhe se do të përpiqen të tejkalojnë dallimet.

"Ne jemi partnerë në NATO. Ne kemi të njëjtat interesa të sigurisë", shtoi ai.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.