Bota

Ushtria e Senegalit intervenon në Gambia

Njësitet e ushtrisë së Senegalit kanë intervenuar ushtarakisht në Gambia për të siguruar që presidenca e shtetit t’i kalojë Adama Barrow

Murat Karadağ  | 19.01.2017 - Përdıtësım : 20.01.2017
Ushtria e Senegalit intervenon në Gambia

Dakar

DAKAR (AA) – Njësitet e ushtrisë së Senegalit kanë intervenuar në Gambia për të siguruar që presidenca e shtetit t’i kalojë Adama Barrow, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas deklaratës nga zëdhënësi i ushtrisë së Senegalit, njoftohet se njësitet ushtarake të shteteve të Komunitetit Ekonomik të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), në të cilin bën pjesë edhe Senegali, kanë hyrë në territorin e Gambisë.

Po ashtu thuhet se mobilizimi ushtarak ka filluar pas vendimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) i cili ka mbështetur ECOWAS-in që ishte përgatitur për intervenim ushtarak për të siguruar që Adama Barrow do ta marrë detyrën si president i Gambias.

Një zyrtar i ECOWAS-it i cili nuk ka dashur të shpaloset emri i tij, në një prononcim për AA deklaroi se njësitet ushtarake kanë kaluar kufirin e Senegalit dhe kanë hyrë pa problem në qytetin Farafenni të Gambisë.

Duke potencuar se ushtria e Gambisë nuk ka shfaqur asnjë rezistencë ndaj njësiteve ushtarake të ECOWAS-it, zyrtari u shpreh se “Forcat lokale të sigurisë në Farafenni ngritën flamujt e bardhë dhe lejuan pa problem kalimin e njësiteve ushtarake të ECOWAS-it”.

KS i OKB-së, me mbështetjen e të gjitha 15 shteteve, pranoi projekt rezolutën e parashtruar nga Senegali në mbledhjen urgjente për përfundimin e krizës politike në Gambia.

Ndryshe, kriza politike në Gambia filloi muajin e kaluar pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, pasi presidenti i deriatëhershëm Yahya Jammeh kishte refuzuar ta pranonte humbjen. 

Ndërkaq, ECOWAS paraprakisht kishte marrë vendimin që të intervenojë ushtarakisht në Gambia në rast se presidenti aktual Yahya Jammeh nuk do ta dorëzonte detyrën.

Nga ana tjetër për arsye të mosrealizimit të ceremonisë së marrjes së detyrës, Adama Barrow sot dha betimin për president të shtetit në ambasadën e Gambias në shtetin fqinj, Senegal.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın