Bota

Ushtria izraelite okupon 16 fshatra palestineze, mbyllen 50 shkolla

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës njoftohet se nën okupim janë 16 fshatra në të cilat janë mbyllur 50 shkolla ku është ndërprerë furnizimi me ushqim dhe ilaçe

Qays Abu Samra, Mahmut Geldi  | 28.09.2017 - Përdıtësım : 29.09.2017
Ushtria izraelite okupon 16 fshatra palestineze, mbyllen 50 shkolla

Ramallah

RAMALLAH (AA) – Ushtria izraelite tashmë tre ditë mban në okupim 16 fshatra palestineze në veriperëndim të Jerusalemit, raporton Anadolu Agency (AA).

Izraeli pas sulmit në të cilin para tre ditësh humbën jetën tre pjesëtarë të forcave izraelite të sigurisë ka ashpërsuar masat e sigurisë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës njoftohet se nën okupim janë 16 fshatra në të cilat janë mbyllur 50 shkolla ku është ndërprerë furnizimi me ushqim dhe ilaçe.

Me barriera është pamundësuar komunikimi mes fshatrave në veriperëndim të Jerusalemit.

“Këto aktivitete janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e cila mbron të drejtat themelore të njeriut, të drejtën për jetë, arsim dhe udhëtim”, theksuan nga ministria.

Dëshmitarët theksojnë se forcat izraelite nuk lejojnë as daljen në rrugë në disa vende në veriperëndim të Jerusalemit.

“Në sulmin e armatosur terrorist të kryer në rajonin Har Adar, jashtë Jerusalemit, kanë humbur jetën tre izraelitë dhe një është plagosur. Policia ka neutralizuar sulmuesin. Sulmuesi është nga një fshat palestinez”, theksoi më herët policia izraelite.

Pas sulmit në Bregun Perëndimor kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu porositi se do të ndërmerr disa hapa si kundërpërgjigje të këtij sulmi të armatosur.

“Sot është një ditë e rëndë. Po hetojmë sulmin terrorist. Kemi të kumtojmë edhe disa hapa që do të ndërmarrim. Fillimisht do të shembim shtëpinë e sulmuesit. E dyta, fshati në të cilin ka jetuar do të jetë nën kordonin e policisë ndërsa do të shfuqizohet edhe leja e punës e familjes së tij”, tha më herët kryeministri izraelit.

Forcat izraelite shpesh herë për arsye të ndryshme kryejnë bastisje dhe arrestime të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Në burgjet izraelite gjenden rreth 7.000 palestinezë, ndërsa në mesin e tyre ka edhe fëmijë. Izraeli nga viti 2006 mban nën okupim Rripin e Gazës, në të cilën jetojnë rreth dy milionë palestinezë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın