Bota

Viti 2017, vit i turbulencave në politikën e Evropës

Vendet e Ballkanit Perëndimor si Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria, në vitin 2017 duket të jenë përballur me kriza politike serioze

Ekip  | 18.05.2017 - Përdıtësım : 19.05.2017
Viti 2017, vit i turbulencave në politikën e Evropës

Bruksel

BRUKSEL (AA) - Zgjedhjet nëpër Evropë, qoftë të planifikuara apo të parakohshme, mosformimi i qeverive në disa shtete edhe krahas mbajtjes së zgjedhjeve dhe rritja e tensioneve politike në shtetet e Ballkanit, tregojnë se vitit 2017 do të jetë vit i vështirë për politikën e Evropës, shkruan Anadolu Agency (AA).

Teksa Britania dhe Austria së fundmi morën vendim për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, në Holandë ende nuk është formuar qeveria, edhe pse kanë kaluar dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, presidentin e ri në Francë, Macron, e presin zgjedhe parlamentare që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Macron kërkon mbështetje për kuvendin

Djathtistja ekstreme dhe njëra nga kandidatet e fuqishme të zgjedhjeve presidenciale në Francë, Marine Le Pen, arriti të krijojë shqetësime në shumë qarqe me retorikën e saj kundër Bashkimit Evropian (BE), Islamit dhe refugjatëve, megjithatë, fitues i zgjedhjeve doli Emmanuel Macron.

Macron, i cili pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë Marshi Republikan, kërkon të fitojë shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në dy raunde më 11 dhe 18 qershor dhe në këtë mënyrë të mund të formojë qeverinë. Disa ekspertë i cilësojnë zgjedhjet parlamentare në Francë si raundi i tretë i zgjedhjeve presidenciale, të cilat u mbajtën në dy raunde.

Mendohet se Macron është në përpjekje të bashkëpunojë me disa politikanë të qendrës së djathtë, për arsye se duket që mbështetja publike për Marshin Republikan nuk do të mjaftojë për të siguruar shumicën. Edhe fakti që Macron ka zgjedhur për kryeministër Edouard Philippe nga qendra e djathtë është tregues i kësaj.

Pascal Perrineau, kryetar i Qendrës për Hulumtime pranë Universitetit Science Po, ka theksuar se nëse Macron nuk arrin shumicën në kuvend, atëherë zgjedhja e tij për president nuk do të ketë kuptim, dhe se nuk është e mundur që ai "të qeverisë me vendin vetëm".

Fryma e zgjedhjeve të parakohshme

Turbulenca politika në Evropë shfaq veten edhe me vendimet për zgjedhje të parakohshme në disa vende.

Teksa vërehet komoditet te Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë, ku në shtator mbahen zgjedhje të zakonshme, rezultati që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Britani dhe Austri do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e BE-në.

Kryeministrja britanike Theresa May ka bërë të ditur se kanë marrë vendim për të shkuar në zgjedhje të parakohshme për të siguruar "stabilitet dhe unitet" në negociatat për Brexitin që Britania i zhvillon me BE-në, dhe janë dakorduar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 qershor.

Zgjedhjet e ardhshme në Britani parashiheshin që normalisht të mbaheshin në maj të vitit 2020. Ndërkaq, përmes deklaratave se në zgjedhje do të votohet "për të ardhmen e Britanisë pas Brexitit", duket se përpiqen të ndikojnë te votuesit.

Vendimi i Austrisë nuk ishte befasues

Qeveria në Austri e formuar nga Partia Popullore e Austrisë (ÖVP) nga qendra e djathtë dhe Partia Social Demokratike (SPÖ), mori vendim për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi nuk mundi të menaxhojë tutje problemet e brendshme.

Fitorja në zgjedhjet presidenciale e kandidatit të pavarur Alexander Van der Bellen, i mbështetur nga të Gjelbërit, paraprakisht kishte lënë mënjanë spekulimet për zgjedhje të parakohshme, duke marrë vendim për vazhdimin e koalicionit qeveritar deri në zgjedhjet e zakonshme që parashiheshin të mbahen në fund të vitit 2018 dhe duke shpërndarë për opinionin program operativ që përbëhej nga 42 pika.

Megjithatë, mosmarrëveshjet e lidershipipt dhe brendapartiake në ÖVP, partner koalicioni, shkaktoi dorëheqjen e zëvendëskancelarit dhe kryetarit të Partisë Popullore, Reinhold Mitterlehner. Në këtë mënyrë u hodh hapi i parë në rrugën që çonte drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Sebastian Kurz, i cili u përfol si emër për kryetar të partisë së qendrës së djathtë me ardhjen e tij në postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Integrimit, ka deklaruar se qeveria aktuale ka shkaktuar konflikte dhe se zgjedhjet e parakohshme do të jenë zgjidhje më e mirë për vendin, duke rekomanduar që programi qeveritar aktual të vazhdojë deri në fund të verës dhe në zgjedhje të shkohet në vjeshtë.

Pa reaguar ndaj këtij rekomandimi nuk ngelën opozita dhe partneri i koalicionit social demokratët, dhe në këtë mënyrë filloi procesi i zgjedhjeve të parakohshme. Data e zgjedhjeve të parakohshme në Austri u caktua 15 tetori i vitit 2017.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

Edhe Kosova ka marrë vendim që së shpejti të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Me kërkesë të opozitës, në Kuvendin e Kosovës u votua pro mocionit të mosbesimin për qeverinë. Në votimin e mbështetur edhe nga partneri i koalicionit qeveritar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), 78 nga 115 deputetë votuan për rrëzimin e qeverisë. Presidenti i Kosovës Hashin Thaçi pas rrëzimit të qeverisë shpërbëu kuvendin dhe deklaroi se më 11 qershor do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Krizat qeveritare

Në Holandë ende nuk është arritur të formohet qeveria, edhe pse kanë kaluar afërsisht dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në mars. Siç është bërë e ditur, janë bllokuar negociatat për formimin e koalicionit qeverisës mes Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD), Unionit të Demokristianëve (CDA), Demokratëve 66 (D66) dhe së Majtës së Gjelbër (GL). Thuhet se negociatat kanë rezultuar të pasuksesshme për shkak të mosmarrëveshjeve posaçërisht mbi çështjen e migrimit.

Kriza politike në Kroaci, Maqedoni dhe Shqipëri

Ndërkohë, vendet e Ballkanit Perëndimor si Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria, në vitin 2017 duket të jenë përballur me kriza politike serioze.

Kriza që ndodhi në njërën nga kompanitë më të mëdha të Kroacisë, Agrokor, shkaktoi shpërbërjen e koalicionit qeveritar. Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ) dhe Lëvizja Most, të cilat pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit të kaluar formuan koalicionin qeverisës, morën vendim t'i japin fund partneritetit pas ngjarjeve në mbledhjen qeveritare në fund të muajit prill.

Në mbledhjen e qeverisë që erdhi pas akuzave të Partisë Social Demokratike (SDP) opozitare ndaj ministrit të Financave nga radhët e HDZ-së Zdravko Mariç lidhur me krizën në Agrokor, kryeministri Andrej Plenkoviç deklaroi se nuk do të largojë nga detyra Mariçin, vendim i cili u kundërshtua nga tre ministra nga radhët e MOST-it, për të cilët më pas Plenkoviç kërkoi dorëheqje. Pas ngjarjeve, kryetari i MOST-it dhe kryetari i Kuvendit Bozo Petrov deklaroi se nuk do të jenë më pjesë e koalicionit dhe se të gjithë ministrat e MOST-it do të japin dorëheqje, teksa edhe ai vetë dha dorëheqje nga detyra e kryetarit të kuvendit.

Në votëbesimin e mbajtur në fillim të muajit maj në kuvend, rrëzimi i qeverisë u pengua për vetëm një votë, ndërsa ende nuk është emëruar askush në postet e braktisura nga katër ministrat.

Kriza në Maqedoni u shndërrua në dhunë

Edhe pse kanë kaluar pesë muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në muajin dhjetor, në Maqedoni ende nuk është formuar qeveria. Fakti që asnjë parti nuk arriti shumicën për të formuar qeverinë vetëm, thelloi edhe më tej krizën që kishte filluar prej vitesh.

Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov fillimisht i dha mandatin kreut të VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevski, i cili nuk arriti të formojë qeverinë në afatin e paraparë ligjor. Nga ana tjetër, partitë politike shqiptare që arritën deklaratë të përbashkët u dakorduan me partinë që mori numrin e dytë më të madh të votave në zgjedhje, Lidhjen Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM). Edhe pse lideri i LSDM-së Zoran Zaev i paraqiti Ivanovit nënshkrimet e deputetëve si dëshmi se ka arritur shumicën parlamentare, Ivanov nuk ia dha mandatin për të formuar qeverinë, me arsyetimin se deklarata e përbashkët e partive shqiptare është përgatitur jashtë vendit dhe shkel ligjet e Maqedonisë, ndërkohë që nga VMRO-DPMNE filluan të kërkojnë zgjedhje të reja të parakohshme, ku kriza u thellua edhe më shumë.

Së fundmi, më 27 prill, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për kryetar të kuvendit, në kuvend ndodhën incidente. Një grup i maskuar që hyri në kuvend, mbajti peng deputetë dhe gazetarë. Si pasojë e incidenteve u lënduan afër 100 persona, përfshirë deputetë, gazetarë dhe policë. Edhe përkundër të gjitha kundërshtimeve, vendimi për zgjedhjen e Xhaferit u shpall në Gazetën Zyrtare, kurse Xhaferi kështu u bë kryetari i parë shqiptar i kuvendit. Pas të gjitha këtyre zhvillimeve, presidenti Ivanov më 17 maj mandatoi Zaevin për formimin e qeverisë.

Shqipëria, shteti ku opozita bojkoton kuvendin

Shtet tjetër ku në vitin 2017 ndodhi krizë mes qeverisë dhe opozitës është edhe Shqipëria. Partitë opozitare, që kërkuan që në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit të shkohej me qeveri teknike, që nga muaji shkurt bojkotuan kuvendin, duke mbajtur protestë në çadrën e vendosur para selisë së Këshilli të Ministrave në Tiranë.

Qeveria teknike nuk u formua edhe krahas protestave të opozitës, ndërsa u bë e ditur se në zgjedhje do të shkohet me qeverinë aktuale. Pas zgjedhjes së presidentit të ri në Shqipëri më 28 prill në kuvend, më 4 maj e u shpërbë kuvendi si procedurë ligjore para zgjedhjeve parlamentare.

Zhvillimet në Shqipëri morën një tjetër drejtim, kur pas disa orë bisedimesh kokë më kokë mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe liderit opozitës, Lulzim Basha, në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, u arrit marrëveshja rreth zgjedhjeve parlamentare dhe pjesëmarrjes së opozitës, ndërsa detajet e saj dhe data pritet të bëhen publike gjatë orëve në vazhdim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.