Ekonomi

Banka Botërore konfirmon progresin e Kosovës në ambientin e të bërit biznes

Kryeministri Mustafa së bashku me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Bajrami, sot shpalosën Raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, i publikuar një ditë më parë

Sibel Vezaj  | 26.10.2016 - Përdıtësım : 26.10.2016
Banka Botërore konfirmon progresin e Kosovës në ambientin e të bërit biznes

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, sot kanë shpalosur Raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, i publikuar një ditë më parë, i cili e rendit Kosovën në pozitën e 60-të në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se Mustafa ka bërë të ditur se raporti përveç që dëshmon përmirësimin i cili po bëhet në ambientin e biznesit, po ashtu tregon se ka një ndërlidhshmëri dhe bashkëpunim shumë të ngushtë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat krijojnë kushte që bizneset të veprojnë në mënyrë më të suksesshme, e cila mundëson të rritet siguria e të bërit biznes në Kosovë.

“Është objektiv i yni themelor që ne të arrijmë progres në zhvillimin ekonomik, sepse realizojmë atë që është qëllimi kryesor i kësaj Qeverie edhe në rritjen ekonomike, në rritjen e numrit të punësuarve, në zvogëlimin e varfërisë, por edhe në krijimin e stabilitetit makroekonomik dhe stabilitetit buxhetor. Mendoj se edhe ky progres i cili po arrihet gjithmonë në ngritjen e shkallës sonë tek të bërit biznes është një tregues shumë i rëndësishëm se po punohet në mënyrë më serioze dhe se ka një përkushtim të madh të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Në anën tjetër, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se raporti i Bankës Botërore, që e rendit Kosovën në vendin e 60-të në botë për të bërit biznes konfirmon progresin e madh të arritur në përmirësimin e ambientit të biznesit në Kosovë.

“Banka Botërore i ka ndarë 190 vendet që marrin pjesë në këtë raport në tri kategori: në vendet të cilat kanë një ambient të mirë të biznesit, ku bënë pjesë në fakt edhe Kosova, në vend të cilat kanë vend relativisht të mirë dhe vendet të cilat nuk kanë ambient të mirë për të bërë biznes. Siç e dini, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë shumë seriozisht përmirësimin e ambientit të biznesit”, tha ministrja Bajrami.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se në dhjetor të vitit të kaluar me mbështetjen e kryeministrit në mbledhje të qeverisë dhe me inicimin në Këshillin Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik është themeluar Task Forca për përmirësimin e ambientit të biznesit.

Bajrami njoftoi se Kosova ka përmirësime në disa indikatorë, ku një prej indikatorëve kryesorë është fillimi i biznesit, përkatësisht lehtësimi i fillimit të bërit biznes, ku Kosova nga pozita e 27-të nga viti i kaluar është ranguar në pozitën e 13-të, duke u bërë kështu vendi i dytë në rajon pas Maqedonisë për fillimin e një biznesi.

Kurse indikatori tjetër, siç tha Bajrami, është pagesa e tatimeve e cila mat lehtësinë e pagesës së tatimeve dhe deklarimin tatimor, ku është bërë një përmirësim, nga vendi i 77-të në vendin e 43-të. Indikatori tjetër, ku është arritur progres, Bajrami tha se është tregtia përtej kufijve, në të cilin nga pozita e 59-të e vitit të kaluar, Kosova është ranguar në pozitën e 51-të.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.