Ekonomi

Dorëzohet programi IPA 2016 për Kosovën në vlerë prej 45.5 milionë euro

Genoveva Ruiz Calavera sot ia dorëzoi ministres së Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj marrëveshjen e pakos së Programit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA) për vitin 2016

Sibel Vezaj  | 07.03.2017 - Përdıtësım : 08.03.2017
Dorëzohet programi IPA 2016 për Kosovën në vlerë prej 45.5 milionë euro ( Erkin Keçi/AA )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz Calavera sot ia dorëzoi ministres së Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj marrëveshjen e pakos së Programit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA) për vitin 2016, e cila përfshin shumën prej prej 45.5 milionë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj tha se Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka ndihmuar Kosovën, duke filluar nga viti 2007 deri më 2013, me shumën prej mbi 600 milionë eurove, si pjesë e IPA-s. Ajo bëri të ditur se asistenca financiare e IPA-s për periudhën 2014-2020 arrin vlerën në 645 milionë euro. Kurse sipas saj, asistenca financiare prej 45.5 milionë eurove të IPA për vitin 2016 e konfirmon edhe më tutje përkushtimin e BE-së për ta përkrahur procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Sot pranova edhe marrëveshjen financiare për Programin IPA 2016 e cila në pako do të përfshijë një shumë prej 45.5 milionë euro në formë të projekteve nga ana e BE-së, të cilat do të ndihmojnë në realizimin e objektivave të parapara në kuadër të MSA-së, në fushat siç janë konkurueshmëria dhe përkrahja e bizneseve, arsimi dhe punësimi si dhe të drejtat e njeriut. Po ashtu do të përkrahen edhe implementimi i marrëveshjeve nga dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Ahmetaj.

Ministrja po ashtu bëri të ditur se së shpejti do të finalizohet pjesa e dytë e marrëveshjes IPA 2016, ku parashihet përkrahja e drejtpërdrejt buxhetore për reformën e administratës publike, me shumë prej 25 milionë euro, dhe të programit IPA 2017, ku pritet përkrahja buxhetore sektoriale për menaxhimin e financave publike në shumë prej 30 milionë eurosh. Sipas saj, nga IPA 2018-2020 nga BE pritet të përfitohen 250 milionë euro.

Kurse drejtoresha Calavera theksoi përkrahjen e pakusht të Komisionit Evropian në rrugën e Kosovës drejt familjes evropiane. Ajo bëri të ditur se së shpejti, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian (BE), Johanes Hahn do të vijë përsëri në Kosovë për ta parë zhvillimin në aspektin e implementimit të axhendës evropiane në Kosovë.

“Ne shikojmë në rritjen e mundësive të punësimit, të sigurohemi që të rinjtë të kenë kapacitet të krijojnë shtim dhe prosperitet, jemi për modernizimin e administratës publike, në shërbime më të mira për qytetarët, në mënyrë që të krijohet konkurueshmëria që ne po synojmë bashkërisht”, tha Calavera.

Ndryshe, Instrumenti i Asistencës së Para- anëtarësimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja mbështet reformat në ‘vendet e zgjerimit’ me anë të ndihmës financiare dhe teknike. Ky instrument synon reforma në kuadrin e sektorëve të paracaktuar te cilët mbulojnë fusha te lidhura ngushtë me strategjinë e zgjerimit, të tilla si demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit apo zhvillimi dhe konkurrenca.

Drejtoresha Calavera sot është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.