Ekonomi

Marrëveshje për rrjetëzim të biznesmenëve Maqedoni-Greqi

Nga LOEM-i thonë se shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Greqisë vitin e kaluar arriti në 598 milion euro, eksportet nga Maqedonia 148 milion, ndërsa importet 450 milion euro

Besar Ademi  | 21.06.2017 - Përdıtësım : 22.06.2017
Marrëveshje për rrjetëzim të biznesmenëve Maqedoni-Greqi Fotoreporter: Besar Ademi/AA

Shkup

SHKUP (AA) – Kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM), Aleksandar Zarkov, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se si rezultat i bashkëpunimit mes institucionit të ekonomisë që drejton ai dhe Shoqatës së Biznesit Ndërkombëtar të Greqisë është nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim dhe rrjetëzim të biznesmenëve nga të dy vendet, raporton Anadolu Agency (AA).

Zarkov njoftoi se marrëveshja është nënshkruar javën e kaluar në Kozani të Greqisë, ku dhe ai me ftesë të Ministrisë për Zhvillim Rural të Greqisë ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare që kishte qëllim zhvillimin e Gadishullit Ballkanik, me theks të veçantë në sektorin e agro-biznesit dhe zbatimit të teknologjive moderne dixhitale.

“Pjesëmarrja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë në këtë tryezë të rrumbullakët është një hap drejt përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe bilateral mes Maqedonisë dhe Greqisë. Në këtë tryezë u theksua nevoja për zhvillimin e një programi të integruar në Gadishullin Ballkanik dhe zbatimi i objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm për të gjithë rajonin, veçanërisht në bujqësi’, deklaroi Zarkov.

Ndërkaq, kryetar i Odës Industriale të Maqedonisë pranë LOEM-it, Sotir Ampov, tha se tregtia dhe investimet e përbashkëta janë qendër e vëmendjes e biznesmenëve të të dy vendeve.

“Si vende fqinje, potenialet për bashkëpunim janë të mëdha si mes kompanive, ashtu edhe për paraqitje të përbashkët në vendet e treta dhe pjesëmarrje në projekte të përbashkëta. Komuniteti i biznesit tashmë ka krijuar një bashkëpunim të mirë ekonomik me potencial të madh për përmirësim”, theksoi Ampov.

Sipas LOEM-it, Greqia është një ndër pesë partnerët më të rëndësishëm tregtar të Maqedonisë, ndërsa investimet më të mëdha janë në sektorin bankar, industrinë e naftës, si dhe në tregti dhe në industrinë e tekstilit. Nga atje thonë se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve vitin e kaluar arriti në 598 milion euro, eksportet nga Maqedonia 148 milion, ndërsa importet 450 milion euro.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın