Ekonomi

Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Itali

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në forumin e biznesit Shqipëri-Itali tha se Shqipëria ka potenciale dhe mundësi të mëdha për të investuar dhe po punon për uljen e burokracisë

Saimir Alija  | 19.02.2018 - Përdıtësım : 20.02.2018
Mbahet forumi i biznesit Shqipëri-Itali Burimi: Kryeministria e Shqipërisë

Tiranë

TIRANË (AA) - Në Tiranë është mbajtur forumi i biznesit Shqipëri-Itali, me fokus marrëdhëniet dypalëshe politike dhe ekonomike si dhe mundësitë për bashkëpunim dhe investim që ofron tregu shqiptar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapje të forumit, merrnin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, zv.ministri italian i Zhvillimit Ekonomik, Ivan Scalfarotto, si dhe përfaqësues të kompanive shqiptare dhe italiane.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij tha se Shqipëria ka potenciale dhe mundësi të mëdha për të investuar dhe po punon për uljen e burokracisë.

“Ne jemi shumë mirënjohës për praninë e të gjithëve, që kanë ardhur në këtë mision shumë të madh. Shqipëria është një vend, që jo vetëm rritet, por dhe një vend ku italianët ndodhen në shtëpinë e tyre. Shqipëria i garanton të gjitha, ka një mënyrë të jetuari që ngjan si dy pika uji me mënyrën tuaj në Itali, me avantazhin se taksat dhe burokracia janë shumë të ulëta. Ne duhet të vazhdojmë ta lehtësojmë burokracinë dhe me taksat jemi në nivel shumë të ulët”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, Shqipëria ka shumë potenciale rritjeje dhe shumë mundësi investimesh në energji, naftë, minerale, bujqësi, por edhe sektorin agro-ushqimor.

Më tej kryeministri i Shqipërisë u bëri thirrje investitorëve italianë të investojnë në Shqipëri në fushën e turizmit, pasi legjislacioni sipas tij për këtë sektor është tërheqës.

Ndërsa, ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se Shqipëria nuk është më ajo e frikës së emigracionit, por është Shqipëria e mundësive për sipërmarrjen italiane.

“Në katër vitet e fundit ekonomia shqiptare ka kaluar një proces aspak të lehtë, por të domosdoshëm të reformave, konsolidimit fiskal, falë menaxhimit rigoroz dhe të kujdesshëm të financave publike, ndërmarrjen e reformave të thella strukturore në sektorë kyç në ekonomi. Qeveria nuk krijon borxh të ri, por ka marrë përsipër të trajtojë borxhin e trashëguar”, tha Ahmetaj.

Në forum janë organizuar edhe seminare për programet dhe instrumentet e financimit të investimeve në sektorë të ndryshëm, si infrastruktura, turizmi, spitalet, sektori i përpunimit ushqimor, etj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın