Bota, Ekonomi

Metroja e natës në Londër do t’i shtojë ekonomisë miliarda funta

Metroja e Londrës, e cila është më e vjetra në botë me një jetëgjatësi prej 153 vitesh, që nga 19 gushti do të ofrojë shërbime prej 24 orësh gjatë fundjavëve

Gökhan Kurtaran  | 17.08.2016 - Përdıtësım : 18.08.2016
Metroja e natës në Londër do t’i shtojë ekonomisë miliarda funta

Londër

LONDËR (AA) - GÖKHAN KURTARAN – Metroja e natës që do të fillojë me dy linja gjatë fundjavëve që nga 19 gushti, ditë e premte, në kryeqytetin britanik Londër, pritet që në 15 vitet e ardhshme të sigurojë në ekonominë e vendit një kontribut shtesë prej 5,4 miliardë funtash, raporton Anadolu Agency (AA).

Metroja e Londrës, e cila është më e vjetra në botë me një jetëgjatësi prej 153 vitesh, që nga 19 gushti do të ofrojë shërbime prej 24 orësh gjatë fundjavëve në dy linja (Central dhe Victoria). Ndërkaq, planifikohet që në muajt e vjeshtës metroja e natës të zgjerohet në 5 linja.

Prapa vendimit për futjen në përdorim të metrosë së natës në Londër qëndron dëshira për forcimin e ekonomisë së vendit në qytetin i cili çdo vit vizitohet nga afërsisht 18,6 milionë turistë të huaj. Hulumtimet e kompanive ndërkombëtare shpalosin se metroja e natës do të japë kontribut të rëndësishëm në ekonominë e qytetit.

Sipas llogaritjeve të Transport for London (TfL), organi përgjegjës për transportin hekurudhor, kontributi vjetor i funksionimit të metrosë 24 orë të premteve dhe të shtunave do të jetë më së paku 360 milionë funta. Pritet që në periudhë prej 15 viteve të krijohet një kontribut prej 5,4 miliardë funtash në ekonominë e Londrës.

Ndërkaq, sipas hulumtimit të realizuar nga Ernst & Young, kontributi i metrosë së natës për ekonominë e Londrës mund të arrijë madje në dy miliardë funta në vit. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2014, thuhet se bizneset, kafenetë, baret dhe restorantet që janë të hapura deri në orët e vona në Londrën me 8,6 milionë banorë, kanë kontribuar në ekonominë e qytetit me afërsisht 17,7 miliardë funta. 40 përqind e vëllimit total të ekonomisë së natës së Britanisë e cila arrinë në 66 miliardë funta, përbëhet vetëm nga Londra. Pritet që shkalla e ekonomisë së natës së qytetit të arrijë deri në 30 miliardë funta në vitin 2029.

- Turistët do të mund të bëjnë shoping gjatë natës

Nëse merren parasysh projektimet në fjalë, për Londrën vjen në shprehje edhe rëndësia ekonomike e metrosë së natës. Turistët e huaj që vizitojnë Londrën çdo vit bëjnë shpenzime në sasi mesatare prej 15,6 miliardë funtash. Me funksionimin e metrosë 24 orë gjatë fundjavëve, do të jetë e mundur që turistët të bëjnë shoping gjatë natës dhe t’i vazhdojnë shpenzimet.

Sipas hulumtimeve të kompanisë hulumtuese me qendër në Londër, Volterra, metroja e natës do ta shndërrojë qytetin në destinacion më atraktiv për turistët. Në hulumtimin e kompanisë thuhet se “78 përqind nga çdo 1 funtë që vjen nga turizmi, harxhohet nga turistët e huaj.”

Supozohet se numri i përgjithshëm i punonjësve në sektorin e shërbimeve në Britani që punojnë deri në orët e natës është 720 mijë. Me fillimin e metrosë së natës dhe azhurnimin e licencave të bizneseve, numri i punonjësve në vitin 2026 pritet të arrijë në afërsisht 1,6 milionë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.