Turqia

I riu palestinez Xhunejdi zotohet të vazhdojë rezistencën kundër okupimit izraelit

Adoleshenti 16-vjeçar palestinez, Fevzi el-Xhunejdi, i cili vizitoi Turqinë, është bërë simbol i rezistencës palestineze kundër okupimit

Ali H. M.Abo Rezeg  | 19.01.2018 - Përdıtësım : 20.01.2018
I riu palestinez Xhunejdi zotohet të vazhdojë rezistencën kundër okupimit izraelit

Ankara

ALİ H. M.ABO REZEG

ANKARA (AA) - Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), 16-vjeçari Fevzi el-Xhunejdi, i arrestuar muajin e kaluar nga autoritetet izraelite, u zotua të vazhdojë luftën popullore kundër okupimit të Izraelit në territoret palestineze.

"Unë u them pushtuesve izraelitë: Do të vazhdoj të marr pjesë në rezistencën popullore", tha el-Xhunejdi gjatë një vizite në selinë e AA-së në Ankara, "ndërsa në të njëjtën kohë do të ndjek mësimet".

"Autoritetet izraelite më arrestuan me shpresën për të penguar fëmijët e tjerë të marrin pjesë në aktivitetet e rezistencës. Por, do të dështojnë", shtoi ai.

Më 7 dhjetor, Xhunejdi u arrestua në Bregun Perëndimor duke demonstruar kundër vendimit të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të njohur Kudsin si "kryeqytet të Izraelit".

"Ata më rrahën në krahë dhe gjoks", kujton Xhunejdi, duke përshkruar minutat e para të arrestimit të tij.

"Numri i ushtarëve të përdorur për të më arrestuar mua ishte edhe më shumë se ajo që u shfaq në fotografi", shtoi ai.

Pas arrestimit të tij, një fotografi e arrestimit të tij me sy të lidhur u bë simbol i protestave palestineze në vazhdim kundër vendimit të diskutueshëm të Washingtonit lidhur me Kudsin.

E shkrepur nga fotoreporteri i AA-së Wisam Hashlamoun, fotografia më vonë fitoi konkursin e agjencisë "Fotografia e Vitit" për vitin 2017 në kategorinë e lajmeve.

"Ata nuk më rrahën në burg, por përdorën taktika të frikësimit, duke përplasur vazhdimisht derën e qelisë sime çdo natë", tha ai.

Sa i përket fotografisë tashmë të famshme, Xhunejdi tha se më në fund arriti ta shohë atë në një gazetë izraelite rreth dhjetë ditë pasi u arrestua.

"Kam mbetur në paraburgim për 22 ditë para se më në fund të lirohem me kaucion, për të cilën familja ime pagoi dhjetë mijë shekelë izraelitë (rreth 2.800 dollarë)", tha i riu palestinez.

Vizita në Turqi

Xhunejdi tha për AA se si ai ka ardhur në Turqi vetëm një ditë pasi u informua nga avokati i tij se ai mund të udhëtonte jashtë vendit.

"Kështu, erdhëm këtu në Turqi, ndërsa vërejtëm se jemi të dashur nga populli turk", tha ai.

I pyetur në lidhje me takimin e tij të së mërkurës me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, Xhunejdi tha: "Ai më tregoi se si u bëra simbol i këmbënguljes palestineze. Ishte një moment i mrekullueshëm për mua".

"Që atëherë, presidentit Erdoğan i kam përcjellë falënderimet e mia të veçanta dhe respektin e lartë të popullit palestinez për të dhe për popullin turk në përgjithësi", shtoi Xhunejdi.

"Është e vërtetë se turqit na duan. Por, më besoni, ne i duam më shumë", shtoi ai.

Pasi u lirua nga burgu, kujton ai, e ka parë presidentin Erdoğan duke treguar foton e tij në konferenca.

I pyetur nëse është duke ndjekur situatën e Ahed Tamimit, adoleshentes palestineze 16-vjeçare, e cila gjithashtu u arrestua së fundmi nga Izraeli, Xhunejdi tha: "Pashë Ahedin teksa priste gjykimin; ajo dukej e lodhur".

"E lus Allahun të lirohet menjëherë", shtoi ai.

Xhunejdi tani duhet të paraqitet para një gjykate ushtarake izraelite më 19 shkurt për t'u përballur me akuzat për hedhje gurësh në drejtim të ushtarëve izraelitë.

Sipas vlerësimeve, rreth 6.500 palestinezë, duke përfshirë rreth 300 fëmijë, aktualisht gjenden në burgjet izraelite.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.