Turqia

Në Stamboll zbulohet specie e re endemike bimore

Specia e zbuluar në të njëjtën kohë është zbulim që ndodh për herë të parë edhe për literaturën botërore

Murat Paksoy  | 12.11.2017 - Përdıtësım : 13.11.2017
Në Stamboll zbulohet specie e re endemike bimore

Stamboll

STAMBOLL (AA) – Në kuadër të një projekti lidhur me diversitetin biologjik nga Ministria e Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave e Turqisë, në Stamboll është zbuluar një specie e re endemike bimore e cila është emërtuar si Qepa e Stambollit (Allium istanbulenese), raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga ministria, specia e zbuluar në të njëjtën kohë është zbulim që ndodh për herë të parë edhe për literaturën botërore.

Zbulimi është realizuar në kuadër të “Projektit të Inventarizimit dhe Monitorimit të Biodiversitetit (UBENIS), ndërsa është konstatuar se specia e re, Qepa e Stambollit, nuk i ngjan asnjë mostre të gjinisë “Allium” të mbledhura gjatë punimeve të biodiversitetit në vend.

Specia është përkufizuar edhe shkencërisht, ndërsa në literaturën botërore është emëruar si “Allium istanbulenese”.

Turqia si vend i pasur me lloje të gjinisë Allium, është qendër gjenetike edhe e disa grupeve të tjera.

Gjinia e njohur me emrin shkencor Allium përfshin bimët bulbore me aromë të veçantë, në të cilat bëjnë pjesë qepa, preshi dhe hudhra, ndërkohë që në Turqi në mënyrë natyrore rriten deri në 200 specie të kësaj gjinie.

Ndërkaq, me këtë zbulim, numri i specieve endemike të Stambollit është rritur në 54.

Në deklaratën e Ministrisë së Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave është cituar edhe ministri Veysel Eroğlu, i cili ka thënë se Turqia është vend mjaft i pasur për sa i përket specieve endemike.

“Me projektin UBENIS të nisur në vitin 2013, deri më sot kemi realizuar punime në 33 provinca. Deri në fund të këtij viti, ne do të kemi përfunduar punimet edhe në 21 provinca, përfshirë Stambollin. Kur të përfundojnë punimet në të gjitha provincat tona, ne do të nxjerrim një hartë të biodiversitetit të Turqisë”, është shprehur Eroğlu.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.