Turqia

"Të bashkëpunosh me YPG-në do të thotë ta hedhësh në rrezik të ardhmen e Sirisë"

Ministri i Jashtëm turk, Çavuşoğlu tha se i kanë përcjellur mesazhin SHBA-ve se është politikë e gabuar ideja e tyre që disa njësite të YPG-së të marrin pjesë në operacionin në Munbixh

Sultan Çoğalan  | 27.09.2016 - Përdıtësım : 28.09.2016
"Të bashkëpunosh me YPG-në do të thotë ta hedhësh në rrezik të ardhmen e Sirisë"

Ankara

ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu theksoi se i kanë përcjellur mesazhin SHBA-ve se është politikë e gabuar ideja e tyre që disa njësite të YPG-së të marrin pjesë në operacionin në Munbixh me qëllime logjistike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media që u organizua pas takimit kokë më kokë me Sekretarin e Jashtëm britanik, Boris Johnson dhe atë mes delegacioneve, Çavuşoğlu shprehu kënaqësinë e tij që ka pritur Johnsonin në Ankara.

Gjatë konferencës, një gazetar rikujtoi takimet me Zv/Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku ky i fundit tha që PYD të marrë pjesë në operacionin që Ankaraja do ta realizojë në Munbixh dhe kërkoi që SHBA-të dhe Turqia të mbështesin nga ajri Ushtrinë e Lirë Siriane, dhe pyeti nëse do të kenë një përgjigje të qartë në lidhje me këtë. 

Ndërkaq, Çavuşoğlu u përgjigj se Blinken sot po vazhdon takimet në Shtabin e Përgjithshëm dhe institucionet e tjera dhe se pasdite do ta pranojë edhe atë.

Çavuşoğlu potencoi se Rakka dhe Mosuli janë të ashtuquajtura kryeqytete të DAESH-it dhe se kjo organizatë duhet të mposhtet në qytetet të cilëve u jep rëndësi të madhe dhe që këto qytete të pastrohen nga organizata terroriste.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për pjesën matanë kufirit tonë. Nëse dëshirojmë të sjellim stabilitet dhe siguri në këto dy shtete (Siri dhe Irak) dhe nëse duam të ndërtojmë të ardhmen e këtyre dy shteteve, atëherë sa më parë duhet të asgjësohen DAESH-i dhe organizatat e tjera terroriste. Megjithatë, gjatë kësaj ecurie duhet të kemi strategji. Ne kemi thënë diç që nga fillimi. Fatkeqësisht, edhe pse jemi shumë shtete, edhe pse në koalicionin kundër DAESH-it ka 65 shtete, deri më sot nuk kemi patur një strategji të vendosur e të fokusuar drejt rezultateve. Gjithnjë kemi bërë hapa të gabuar. Meqenëse nuk kemi një strategji të këtillë, mbështetja filloi të kërkohet nga organizata terroriste si PYD/YPG. Ne gjithnjë e kemi thënë se sa e gabuar dhe e rrëzikshme është kjo gjë”, tha Çavuşoğlu.

Më tej, Çavuşoğlu shtoi se "Ne i kemi përcjellur mesazhin SHBA-ve se është politikë e gabuar ideja e tyre që disa njësite të YPG-së duhet të marrin pjesë në operacionin në Munbixh me qëllime logjistike. Më pas, këtë e aprovuam me një kusht. YPG do të tërhiqet prapa lumit Eufrat menjëherë sa të përfundojë operacioni në Munbixh. Tërheqja prapa Lumit Eufrat nuk do të thotë se ne pajtohemi me politikat e tyre. Aktualisht, njësitet e YPG-së ende janë në Munbixh. Obama ka premtuar, Biden ka premtuar dhe Kerry po ashtu ka premtuar. Domethënë të gjithë zyrtarët na kanë premtuar. Tani, ose nuk po mund t’i tërheqin prapa, që do të thotë se nuk kanë autoritet fjale mbi ta, ose nuk duan t’i tërheqin. Nuk ka alternativë tjetër. Nëse nuk mund t’i dërgoni në anën tjetër të Eufratit, atëherë si do t’u besoni atyre në fushat e tjera".

“Të bashkëpunosh me YPG-në do të thotë ta hedhësh në rrezik të ardhmen e Sirisë”

Çavuşoğlu theksoi se YPG dhe PKK shkaktojnë dëm mbi kurdët të cilët nuk mendojnë si ta duke shtuar se ata i kanë detyruar të migrojnë dhe se prania e YPG-së në vendet me shumicë arabe është e rrezikshme për ardhmërinë e Sirisë. 

Ai tha se YPG po ua djeg atyre të gjitha dokumentetet, përfshirë edhe tapitë dhe se aty po bëhet pastrim etnik.

“Të bashkëpunosh me YPG-në do të thotë ta hedhësh në rrezik të ardhmen e Sirisë”, u shpreh Çavuşoğlu, duke shtuar se do të ishte hap i gabuar që YPG të dërgohet në Rakka, kur nuk mundin të bindin të largohet madje nga Munbixhi.

“Bashkëpunimi me terroristë kundër disa terroristëve të tjerë para së gjithash është tradhti ndaj vlerave të mia. Është tradhti ndaj të ardhmes së Sirisë dhe Irakut”, vlerësoi Çavuşoğlu.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın