Kulturë

Ademi: Projekti “Ndërtojmë ura” kontribuon në fondamentit e shoqërisë sonë

Fondi “Ndërtojmë ura së bashku” ofron grante për komunat, shkollat, nxënësit, arsimtarët dhe prindërit, me qëllim organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet përkatësive të ndryshme

Besar Ademi  | 03.10.2015 - Përdıtësım : 04.10.2015
Ademi: Projekti “Ndërtojmë ura” kontribuon në fondamentit e shoqërisë sonë

Shkup

SHKUP (AA) – Në Parkun e Qytetit të Shkupit mbi 700 nxënës nga 30 shkolla të ndryshme të Maqedonisë morën pjesë në ngjarjen promovuese “Ndërtojmë ura së bashku”, duke u argëtuar me shfaqje teatrale dhe aktivitete të ndryshme për të rrinjtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Fondi “Ndërtojmë ura së bashku” ofron grante për komunat, shkollat, nxënësit, arsimtarët dhe prindërit, me qëllim organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet përkatësive të ndryshme. Fondi në fjalë është nismë e përbashkët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, ambasadës së Zvicrës dhe Holandës, si dhe Misionit të OSBE-së në Shkup.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, para qindra fëmijëve të pranishëm tha se falë karakterit multi-etnik të Maqedonisë, fëmijët nga mosha e hershme kanë mundësi të njoftohen me miq të cilët i përkasin përkatësive tjera etnike.

“Vendi ynë është një shembull se si duhet të ndërtohet, kultivohet dhe respektohet multi-etniciteti. Projekti ‘Ndërtojmë ura’ kontribuon edhe më shumë në përforcimin e fondamentit të shoqërisë sonë”, u shpreh ministri Ademi.

Ademi në fjalën e tij shtoi gjithashtu se përmes aktiviteteve të përbashkëta ku përfshihen nxënës të përkatësive të ndryshme etnike rritet mirëkuptimi i ndërsjelltë dhe integrimi i fëmijëve në mjediset shkollore.

Nga ana tjetër, ambasadori zviceran në Maqedoni, Stefano Lazzarotto, e quajti Maqedoninë shtet multi-etnik dhe multi-kulturor të njëjtë sikurse Zvicra, ndërsa më tej shprehu bindjen se projekte të tilla si ky do t’i afrojnë fëmijët e përkatësive të ndryshme njëri me tjetrin.

Ambasadori i Holandës në Maqedoni, Wouter Plomp dhe ushtruesja e detyrës si ambasadorja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Marianne Berecz, duke mbështetur fjalët e minisrit Ademi dhe ambasadorit zviceran Lazzarotto, theksuan se do të vazhdojnë të mbështesin këtë projekt, i cili ka për qëllim bashkëjetesën e përkatësive të ndryshme në Maqedoni. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.