Kulturë, BALLKANI

Çarshia e Vjetër e Shkupit magjeps turistët me ritmin e artit

Pavarësisht rikonstruksionit, Çarshia e Vjetër e Shkupit ende jeton në frymën e traditës duke fshehur historitë e një të kaluare e cila edhe sot ka shenjë pothuajse në çdo cep të saj

Besar Ademi, Ivana Ramadanova  | 17.06.2017 - Përdıtësım : 18.06.2017
Çarshia e Vjetër e Shkupit magjeps turistët me ritmin e artit Fotoreporter: Besar Ademi/AA

Shkup

SHKUP (AA) – BESAR ADEMI / IVANA RAMADANOVA

Bukuria që magjeps e Çarshisë së Vjetër në Shkup është një ndër shkaqet se çarshia është një ndër lokacionet më të vizituara nga ana e turistëve dhe qytetarëve të Shkupit. Ecja nëpër kalldrëmin e kësaj çarshie është një "magji" përmes të cilës këtu ende mund të ndjehet fryma e kaluar. Dyqane të vogla, objekte artizanale, çajtore, restorante, muze, xhami, etj, janë vetëm një pjesë e gjërave që mund të gjenden në një vend. 

Pavarësisht rikonstruksionit, çarshia ende jeton në frymën e traditës duke fshehur historitë e një të kaluare e cila edhe sot ka shenjë pothuajse në çdo cep të saj. Pa marrë parasysh nga cila hyrje do të futeni në çarshi, do të hasni në dyqane me suvenire, sende antike dhe punëtori të ndryshme. 

Lokali i Anzhelika Koleva-s jep një frymë freskuese rrugëve të Çarshisë së Vjetër 

Në mesin e numrit të madh të dyqaneve nëpër kalldrëmin e çarshisë është edhe Anzhelika Koleva, kreatore e një arti krejtësisht ndryshe. Ajo është një artiste me një mënyrë të pazakontë të pikturës, përkatësisht punon me gishta dhe dëshiron të derdh disa ngjyra në pikturë. Për Anadolu Agency (AA), Koleva thekson se preferon forma të pazakonta të artit që shpesh i paraqet në pllaka gramafoni të vjetra dhe të dëmtuara. 

“Fillova të pikturoj në pllaka gramafoni që kur isha 14 vjeçe. Në një rast në veturë mu dëmtua pllaka e gramafonit, e cila ishte dhuratë për mua dhe më gëzoi shumë. Nuk doja ta hedh, kështu që fillova të derdh vaj dhe ngjyrë në të duke u përpjekur që të marrë pamje të bukur. Në fund, me të vërtetë doli bukur, e pazakontë dhe foto interesante. Pas këtij rasti, fillova t’i ngjyrosë pllakat e babait tim, pasi që ai ishte i dhënë pas muzikës dhe kishte një koleksion të madh të pllakave”, shpjegon Koleva. 

Ajo për AA thekson se “vulat dhe simbolet e veprave të saj është gruaja apo vetë ajo, sepse i përcjellë emocionet e jetës së përditshme”. Përveç gruas, vula e veprave të saj është edhe trëndafili i kuq, lule e preferuar e saj. 

Lokalet me gjë sende të vjetra, udhëtim nëpër kohëra 

Pranë lokalit të artistes së re dhe me plotë shpresë, ndodhet lokali me gjë sende më të vjetra antike në Çarshinë e Vjetër. Në krahasim nga fryma moderne që kishte artistja Koleva, ky lokal mban erën e një kohe të kaluar të largët. Objekti më i vjetër në këtë lokal është një armë që daton që nga viti 1760. 

Instrumente muzikore, kostume, uniforma, bizhuteri, sende të ndryshme dhe imtësira të vjetra më shumë se 100 vjet të renditura në raftet e këtij lokali të kthejnë prapa në vitet e shekullit të 19-të, përmes ditëve të ish-Jugosllavisë e deri në pavarësinë e Maqedonisë. 

Në muret e këtij lokali janë të varura uniforma ushtarake dhe armë të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Në këto rafte të mbushura me imtësira, vërehen edhe bizhuteri tradicionale, denarët e parë maqedonas, dokumente turke, enë prej porcelani, dylbi të vjetra, orë dore të vjetra dhe gjë sende të tjera antike. 

Artistët e rrugës, mbrojtës të arkitekturës së vjetër të Çarshisë 

Çarshia e Vjetër e Shkupit nuk do të ishte plotësisht magjike nëse do mungonin artistët e rrugës. Një nga ata është edhe Imer Bajrami, i cili tashmë 30 vjet merret me pikturë dhe është i pranishëm nëpër rrugët e Çarshisë së Vjetër të Shkupit. 

“Turistë ka shumë, kryesisht turq, kinez dhe japonez. Zakonisht janë të interesuar për piktura që pasqyrojnë arkitekturën e Çarshisë së Shkupit. Ne si artistë kontribuojmë shumë për çarshinë, sepse me vet shitjen e veprave tona e mbrojmë dhe e ushqejmë arkitekturën e vjetër të Çarshisë Otomane”, thotë Bajrami për AA. 

Lokali i kaligrafisë i jep një shkëlqim të veçantë Çarshisë së Vjetër

Kjo pamje antike në Çarshinë e Vjetër të Shkupit bëhet akoma më e veçantë me lokalin e studentit nga Stambolli, Mahmut Enes Kemer, i cili studion në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) dhe njëkohësisht merret me punime në kaligrafi. Ai për AA thotë se punimet e tij e ndihmojnë në buxhetin për studimet, por edhe njoftojnë vizitorët për këtë lloj të artit, jo shumë të përhapur në Shkup. 

Studenti turk thekson se ka një interesim të madh nga vizitorët për shkrimet në kaligrafi dhe shpreh dëshirë që pasi të kthehet në Stamboll, lokalin me profesionin e tij të vazhdojë ta punojë dikush tjetër.

“Në fillim unë shkruaja emrin tim dhe të shokëve, por vërejta se kaligrafia këtu është një art interesant dhe askush nuk di për të, kështu që vendosa të hap lokalin dhe t’i tregojë këtij vendi këtë lloj të artit”, u shpreh Kemer për AA, duke shpjeguar se para se të hap lokalin për vizitorët shkruante kaligrafi rrugëve të çarshisë. 

Kerem kaligrafitë i shkruan në Ferman (lloj letre e vulosur me anë të së cilës dërgoheshin mesazhe në kohët e vjetra), por sipas kërkesave të vizitorëve shkruan edhe në letër të thjeshtë, në kornizë, si dhe në materiale të ndryshme për dhuratë. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.