Kulturë

KBI dhe qytetarët kërkojnë rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Orhan Bislimaj, sekretar i KBI-së në Prizren, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka folur rreth historisë së xhamisë së rrënuar të Kalasë.

Sibel Vezaj  | 27.10.2016 - Përdıtësım : 28.10.2016
KBI dhe qytetarët kërkojnë rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit

Prizren

PRIZREN (AA)- Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) të Prizrenit kërkon rindërtimin e xhamisë së rrënuar në Kalanë e Prizrenit. KBI thekson se kjo është kërkesë edhe e Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe të qytetarëve të Prizrenit. Ky këshill gjithashtu bën të ditur se institucionet përkatëse shtetërore të Kosovës, po vazhdojnë të mos i përgjigjen kërkesave të tyre me shkrim në këtë drejtim.

Orhan Bislimaj, sekretar i KBI-së në Prizren, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka folur rreth historisë së xhamisë së rrënuar të Kalasë. Ai bëri të ditur se Xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit dhe në Kosovë, e ndërtuar rreth viteve 1450, kur Perandoria Osmane është vendosur në qytetin e Prizrenit. “Me vendosjen e tyre në pjesën e Kalasë së Prizrenit aty kanë ndërtuar edhe xhaminë për nevojat e banorëve që kanë jetuar aty”, tha ai. 

Duke bërë të ditur se kjo xhami ka pësuar shkatërrime dhe rrënime në periudha të ndryshme, Bislimaj u shpreh se “Për herë të parë rreth viteve 1681-89 ishte shkatërruar nga sundimi i atëhershëm austro-hungarez. Mirëpo ajo më vonë, në vitin 1826 ishte ndërtuar për herë të dytë nga një mytesarif i Prizrenit, Mahmud pashë Rrotulla. Kjo xhami pastaj ka vazhduar të jetë në funksion deri në vitin 1912, deri atëherë kur Kosova mbetet e ndarë prej Shqipërisë dhe bie nën okupim të pushtetit serb. Aty fillon një trajtim mizor ndaj objekteve fetare Islame, ku të njëjtin fat e ka jetuar edhe Xhamia e Kalasë, e cila pas viti 1920 si dhe objektet e tjera në Kalanë e Prizrenit, kanë përjetuar një kulturocid nga pushteti serbo-malazez i asaj kohe". 

Ai theksoi se në kuadër të projektit të restaurimit dhe të rindërtimit të objekteve të Kalasë, që po organizohet nën kujdesin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, nuk është paraparë rindërtimi i kësaj xhamie, për të cilën janë evidentuar të gjitha gjetjet e mundshme në gjurmimet arkeologjike, ku edhe themelet e saj ende qëndrojnë në hapësirën e Kalasë.

“Këtij kulturocidi, i cili është ushtruar shumë vite më parë ndaj xhamisë së Kalasë, tani po i vihet vula nga këto veprime të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport”, vlerësoi ai.

Bislimaj njoftoi se KBI në Prizren dhe BIK-u duke filluar që nga viti 2010 e pastaj, edhe në vitin 2014 kanë bërë kërkesa me shkrim që Xhamia e Kalasë mos të konservohet, por ajo të rindërtohet, sikurse objektet tjera të rindërtuara. Ai shtoi se këto kërkesa me shkrim përveç se janë dërguar në MKRS, janë dërguar edhe tek Kuvendi Komunal i Prizrenit, tek Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren si dhe tek Departamenti për Trashëgimi Kulturo-Historike, por që nga asnjëri nga këta institucione nuk është marrë ndonjë përgjigje. 

“Për këtë arsye, ne si KBI i Prizrenit së fundi më 12 maj të këtij viti kemi dërguar kërkesë me shkrim tek Ministria e Kulturës që Xhamia e Kalasë të rindërtohet sikurse që janë rindërtuar edhe objektet tjera në atë hapësirë të cilat kanë qenë me gjurmë shumë më të vogla se kjo xhami, e cila edhe momentalisht ka themelet dhe pak mure në tokë. Por prej asaj kohe që kur është dërguar kërkesa e deri më tani askush nuk na ka kontaktuar dhe nuk është kthyer përgjigje”, u shpreh Bislimaj. 

Ai gjithashtu ritheksoi se qytetarët e Prizrenit kërkojnë me ngulm që kjo xhami të ndërtohet dhe shtoi se në rast të vazhdimit të mospërgjigjes nga institucionet shtetërore, qytetarët do të kërkojnë këtë të drejtë edhe në mënyra tjera demokratike, të lejuara juridikisht.

“Kërkojmë prej institucioneve t’i përgjigjen kërkesës së ligjshme të KBI-së së Prizrenit, që të mos krijohen iniciativa të ndryshme qytetare që kanë qëndrim këmbëngulës për ndërtimin e kësaj xhamie”, tha sekretari i KBI-së në Prizren, Orhan Bislimaj. 

Kurse Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha në një intervistë për Anadolu Agency (AA) u shpreh se rindërtimi i Xhamisë së Kalasë ka një rëndësi të veçantë si për Bashkësinë Islame të Kosovës ashtu edhe për qytetarët e Prizrenit. Ai ka theksuar se ajo ka një vend të veçantë për nga historia e saj, si të gjitha xhamitë tjera të periudhës osmane.

Duke vënë në dukje se populli i Prizrenit dëshiron ta shohë xhaminë përsëri në Kala, Berisha ka shtuar më tej se “Ne jemi vetëm një urë lidhëse e qytetarëve të Prizrenit për ta arritur këtë qëllim, sepse kjo ka një vend të veçantë dhe ka rëndësi më të madhe sepse është në territorin e Kalasë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın