Kulturë

Prishtinë, hapet ekspozita e artistes turke Betül Burnaz

Në aktivitetin e organizuar në galerinë e arteve “Qahili” morën pjesë artdashës të shumtë të Prishtinës si dhe artistë dhe profesorë të kësaj fushe

Sibel Vezaj  | 24.01.2017 - Përdıtësım : 25.01.2017
Prishtinë, hapet ekspozita e artistes turke Betül Burnaz ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Instituti "Yunus Emre" në Prishtinë sot organizoi ceremoninë e hapjes së ekspozitës së artistes turke Betül Burnaz me titull “Shtegu i vërtitjes”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar në galerinë e arteve “Qahili” morën pjesë artdashës të shumtë të Prishtinës si dhe artistë dhe profesorë të kësaj fushe.

Në një deklaratë për AA, artistja Betül Burnaz bëri të ditur se me këto piktura ka shprehur adhurimin dhe besimin ndaj Zotit nëpërmjet formave gjeometrike dhe figurave abstrakte.

“Dëshira më e madhe e një artisteje është që pikturat e saj të takohen me artdashësit. Me këtë rast falënderoj edhe institutin 'Yunus Emre' i cili ka mundësuar hapjen e kësaj ekspozite në Evropë, tani jemi në shtetet e Ballkanit, ku më parë ishim në dy shtete tjera të Ballkanit dhe pas kësaj po planifikohet të shkojmë në Shkup, e më pas do të vazhdojmë edhe në lindjen e mesme”, tha Burnaz.

Ajo po ashtu tha se pjesëmarrësit po tregojnë një interes të lartë dhe se janë kurreshtarë për ta kuptuar domethënien e pikturave të kësaj ekspozite. “Unë në pikturat e mia shpreh përshtypjet nga kultura që kam lindur, pra ajo e lindjes, por edhe nga kultura perëndimore, ku jam edukuar. Unë sugjeroj që edhe artistët kosovarë të qëndrojnë në kuadër të gjeografisë së tyre, por që perspektivën ta drejtojnë kah bota. Atëherë mund të dalin piktura edhe vendore por edhe orgjinale”, tha Burnaz.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Prishtinë, Mehmet Ülker, për AA tha se arti është një fushë e cila i bashkon njerëzit në botë dhe vlerësoi se takimet e tilla sjellin përfitime të shumta në aspektin e miqësisë së dy shteteve, Turqisë dhe të Kosovës.

“Kjo ekspozitë përbëhet nga piktura të veçanta dhe ne kemi bërë hapjen e saj që t’i prezantojmë aktivitetet e artit abstrakt. Përkundër asaj që ne kemi patur mundësinë që ta hapim këtë ekspozitë në objektin e institutit tonë ne deshëm që ta zhvillojmë këtë aktivitetet në një galeri speciale, në mënyrë që artdashësit dhe artistët ta kenë më lehtë dhe po ashtu në një ambient më të mirë t’i shohin këto piktura”, tha Ülker.

Enilda Namligjiu, studente dhe nxënëse e kursit të gjuhës turke në Institutin "Yunus Emre" në Prishtinë, e cila kishte ardhur për ta parë ekspozitën tha se pikturat e artistes Burnaz po duken të mrekullueshme.

“Yunus Emre ka aktivitete të ndryshme, secila më atraktive se tjetra. Është një institut që po jep mundësi edhe me aktivitete tjera që ne ta mësojmë gjuhën turke”, tha për AA Namiligjiu.

Ekspozita “Shtegu i vërtitjes” përbëhet nga 33 piktura të teknikës vaj dhe do të jetë e hapur deri më 7 shkurt 2017.

Betül Burnaz lindi në vitin 1978 në Stamboll. Ka përfunduar studimet pasuniversitare në Universitetin e Vjenës, si dhe bëhet pjesë e programit “Koncept-Kulturë” në Austri në ketagorinë Art dhe Kulturë. Prej vitit 1995 jeta e saj artistike ka vijuar nga Turqia në Vjenë, me teknika të ndryshme që nga lapsi karbonit, ebru, akrilik, vaj, kaligrafi, e artizanate të ndryshme. Veprat e saj ndodhen në koleksione të shumta private brenda e jashtë Turqisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.