Politikë

“Maqedonia e vlerëson lartë rolin e OSBE-së në zhvillimin demokratik”

“Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ka shprehur falënderim për respektin e lartë që Maqedonia e tregon ndaj rolit të OSBE-së dhe strukturave të saj”

Besar Ademi  | 17.11.2017 - Përdıtësım : 18.11.2017
“Maqedonia e vlerëson lartë rolin e OSBE-së në zhvillimin demokratik” Fotoreporter: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka pritur në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), Thomas Greminger, vizita e të cilit përputhet me përvjetorin nga fillimi i Misionit të OSBE-së në Shkup, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga kabineti i kryeparlamentarit të Maqedonisë njoftojnë se në takim Xhaferi ka theksuar se Maqedonia e vlerëson lartë rolin e OSBE-së në zhvillimin demokratik të vendit dhe ka falenderuar përkrahjen e vazhdueshme që Misioni i OSBE-së ia jep vendit, duke e cilësuar si një nga misionet më të vjetra prej pavarësimit të Maqedonisë.

“Kuvendi i Maqedonisë merr pjesë në mënyrë aktive në punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe në tetor të vitit të kaluar, Kuvendi ishte mikpritës dhe bashkëorganizator i Sesionit të pesëmbëdhjetë të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”, ka theksuar Xhaferi në takim.

Ndërkaq, siç bëjnë të ditur nga kabineti i kryeparlamentarit, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ka shprehur falënderim për respektin e lartë që Maqedonia e tregon ndaj rolit të OSBE-së dhe strukturave të saj.

“Greminger shprehu kënaqësi për tejkalimin e suksesshëm të krizës politike, për zbatimin e zgjedhjeve të qeta lokale dhe për fillimin e procesit reformues”, theksojnë nga kabineti.

Në vijim thuhet se Greminger ka theksuar se krijimi i institucioneve të fuqishme, transparente dhe të hapura janë çështje kyçe për stabilizimin e vendit dhe rajonit në tërësi.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan se nevojitet thellim dhe intensifikim i bashkëpunimit konstruktiv të ndërsjellë për të mirën e vendit dhe të rajonit.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, zhvilloi takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, si dhe me përfaqësues të partive parlamentare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.