Politikë

Haradinaj: Qeveria do të formohet në afat rekord

Ramush Haradinaj, kreu i AAK-së dhe i nominuari për kryeministër i koalicionit PAN tha se do t’i fillojë zyrtarisht konsultat me partitë politike dhe grupet parlamentare të dalura nga zgjedhjet

Sibel Vezaj  | 10.07.2017 - Përdıtësım : 10.07.2017
Haradinaj: Qeveria do të formohet në afat rekord Fotoreporter: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA)- Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA në Kosovë, Ramush Haradinaj, u ka dërguar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe krerëve të Listës Serbe që deri më sot një javë të mbahet seanca konstituive dhe që menjëherë pas saj të mbahet seanca për formimin e Qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen e sotme të kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kreu i kësaj partie dhe i nominuari për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj tha se PAN-i, i cili i ka fituar zgjedhjet e 11 qershorit do t’i fillojë zyrtarisht konsultat me partitë politike dhe grupet parlamentare të dalura nga zgjedhjet.

“Iu kam shkruar dhe iu kam dërguar sot një letër me kërkesë për takim Lëvizjes Vetëvendosje, kryetarit Visar Ymeri, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pra koalicionit që ka garuar me LDK-në (LDK-AKR) dhe Listës Srpska, pastaj komuniteteve jo serbe, me qëllim që deri sot një javë të mund të mund të mbajmë seancën konstituive dhe që pas seancës konstituive menjëherë pa humbur kohë të mbajmë edhe seancën për formimin, pra për votimin e Qeverisë”, thotë Haradinaj.

Haradinaj po ashtu u shpreh se pret që nga sot e deri të hënën tjetër të përfundojnë punët dhe t’i përfundojë marrëveshjet politike, në mënyrë që Qeveria të formohet në afat rekord.

Ai bëri të ditur se ka propozuar që nesër të mbahet takim me kryetarët e partive të VV-së, Visar Ymerin dhe të LDK-së, Isa Mustafën, në ndërtesën e parlamentit. Haradinaj po ashtu shtoi se nuk do të ndalen që të bisedojnë me çdo deputet të zgjedhur të Kuvendit.

“Si i nominuar përparësi i jap një koalicioni sa më të gjerë, me subjekte politike, duke iu bërë thirrje të sinqertë deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës që ta përkrahin Qeverinë që e propozojmë”, thotë Haradinaj.

Ndryshe, më 8 korrik Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit, sipas së cilës koalicioni PAN ka fituar 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR 25,53 për qind të votave (29 deputetë).

Ndërkaq Kuvendi i Kosovës, i përbërë prej 120 deputetësh zgjidhet me mandat katërvjeçar duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.