Politikë

Kosovë, ndërpritet vazhdimi i seancës konstituive

Mikullovci ndërpreu seancën për shkak të mos prezencës së deputetëve nga koalicioni PAN, duke theksuar se për mbajtjen e vazhdimit të seancës do të njoftohen me kohë

Figen Shaban  | 10.08.2017 - Përdıtësım : 11.08.2017
Kosovë, ndërpritet vazhdimi i seancës konstituive Fotoreporter: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Adem Mikullovci ndërpreu vazhdimin e seancës konstituive për arsye të mungesës së deputetëve nga koalicioni PAN, ku pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA). 

Seanca e cila udhëhiqej nga Adem Mikullovci, si deputeti më i vjetër i Kuvendit, filloi me rreth gjysmë ore vonesë. Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e koalicionit PAN ndërsa të pranishëm ishin 61 deputetë. 

Mikullovci ndërpreu seancën për shkak të mos prezencës së deputetëve nga koalicioni PAN, duke theksuar se për mbajtjen e vazhdimit të seancës do të njoftohen me kohë. 

Përfaqësuesi Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë fjalimit të tij bëri thirrje për angazhimin e të gjithë deputetëve prezent në sallë për themelimin sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës së gjashtë sipas rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit. 

Ai theksoi se koalicioni PAN duhet të propozojë një emër tjetër dhe jo Kadri Veselin për kryeparlamentar dhe pas propozimit të një emri të ri do të shqyrtohet mundësia nga ana e tyre për votimin e një personi tjetër për kryetar të Kuvendit. 

“E ftojmë koalicionin PAN që të ndërpresë bojkotin e seancës konstituive dhe e ftojmë që të propozojë kandidatin e tyre për kryetar të ardhshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca. 

Ndërsa, përfaqësuesi i koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA), Avdullah Hoti gjatë fjalimit të tij tha se koalicioni PAN duhet të jetë i arsyeshëm, të jap propozimin për kryetar të Kuvendit dhe ta dëgjojë vullnetin e deputetëve të Kosovës me qëllim që të formohen institucionet e vendit sa më shpejtë. Ai sugjeron që të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ dhe të sigurohet që të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike. 

“Ne do të jemi konsistent në qëndrimin tonë që të marrim pjesë të gjithë në seancë në rast kur seanca thirret në mënyrë të rregullt nga kryesuesi i seancës. Ne do të jemi gjithmonë të gatshëm të marrim pjesë në takimet konsultative që kryesuesi i seancës mund të ftojë të gjitha partitë që janë të përfaqësuara në kuvend për t'u dakorduar për datën e seancës së ardhshme”, tha Hoti. 

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës është pika e vetme, pra zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të tij ishte shtyrë edhe më 3 gusht dhe 4 gusht për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN) në këtë seancë. 

Ndërkaq, takimi konsultativ i cili u mbajt dje me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare, përfundoi pa ndonjë rezultat ku përfaqësuesi i LVV nuk ishte prezent në këtë takim dhe pritej të vendoset se kur do të vazhdohet mbajtja e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës. 

Ky koalicion sipas Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, si grupi më i madh parlamentar dhe fituese e zgjedhjeve të fundit parlamentare të 11 qershorit, duhet ta propozojë kandidatin e tij për kryetar të Kuvendit. 

Kujtojmë se më 11 qershor vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Pas disa javësh, më 8 korrik Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, sipas së cilës koalicioni PAN fitoi 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,53 për qind të votave (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë janë nga partitë minoritete. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.