Politikë

Lika: Deri më sot Marrëveshja e Ohrit nuk gjeti trajtimin e duhur në praktikë

Lika tha se fryma e Marrëveshjes së Ohrit ka qenë një katalizator, e cila në masë të caktuar ka shërbyer të mbajë gjallë shpresën e qytetarëve për të mos devijuar në përcaktimet euro-atlantike

Besar Ademi  | 13.08.2017 - Përdıtësım : 14.08.2017
Lika: Deri më sot Marrëveshja e Ohrit nuk gjeti trajtimin e duhur në praktikë Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Në manifestimin qendror të shënimit të 16 vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, që u mbajt në Shkup, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Hazbi Lika, deklaroi se “edhe pse vet akti i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori mbështetje nga strukturat politike, ajo deri më sot nuk gjeti trajtimin e duhur në praktikë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëvendëskryeministri Hazbi Lika tha se fryma e Marrëveshjes së Ohrit ka qenë një katalizator, e cila në masë të caktuar ka shërbyer të mbajë gjallë shpresën e qytetarëve për të mos devijuar në përcaktimet euro-atlantike. Lika theksoi se qeveria aktuale ka një qasje më objektive dhe me programin e saj në politikën e brendshme dhe të jashtme tregon se synon vlerat euro-atlantike.

“Maqedonia është ballafaquar me shumë sfida në rrugën e saj drejt ingtegrimeve, ka një kohë që ky vend ka trokitur në dyert e BE-së dhe NATO-s, mirëpo zvarritjet e shumta kanë ndikuar që shtetin ta mbajë para këtyre dyerve. Poashtu edhe ngecja e zgjidhjeve të problemeve ndërfqinjësore kanë qenë problem për të avancuar në këtë drejtim, por kjo qeveri edhe në këtë drejtim ka bërë hapat e para drejt përmirësimit të raporteve dhe vendosjen e shtetit në rang marrëveshjesh, siç ishte ajo me Bullgarinë”, deklaroi Lika, duke shtuar se Maqedonia me hapat që është duke bërë është më pranë integrimit se kurrë më parë.

Manifestimi qendror që u mbajt në një hotel privat në Shkup u organizua nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa përveç kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, të pranishëm ishin edhe deputetë të Kuvendit të Maqedonisë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të korit diplomatik, si dhe mysafirë të tjerë.

Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili theksoi se gjatë kësaj periudhe 16 vjeçare pas nënshkrimit të Marrëveshjës së Ohrit, jo çdo herë dhe çdo gjë ka rrjedhur lehtë, pa pengesa dhe me mirëkuptim, por shtoi se Maqedonia alternativë tjetër nuk ka, përpos respektimit të kësaj marrëveshje.

“Marrëveshja e Ohrit dhe parimet e saj janë mënyra e vetme me të cilën në shtetin tonë do të zhvillohet dhe do të avancohet demokracia, do të respektohet karakteri multietnik dhe të gjithë qytetarët tanë do t'i gëzojnë të gjitha të drejtat në mënyrë të barabartë”, deklaroi Xhaferi.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 është një marrëveshje për sigurimin e të ardhmes dhe demokracisë në Maqedoni, si dhe mundësimin e zhvillimit të marrëdhënieve më të afërta dhe më të integruara ndërmjet Maqedonisë dhe bashkësisë euro-atlantike, njëjtë dhe promovimin e zhvillimit të qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të vendit. 

Kjo marrëveshja u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, e cila i dha fund konfliktit ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit u zhvillua nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të Maqedonisë, Boris Trajkovski, ndërsa marrëveshja u nënshkrua edhe nga kryetarët e atëhershëm të partive politike, LSDM-së Branko Cërvenkovski, PDSH-së Arbën Xhaferi, VMRO-DPMNE-së Ljupço Georgievski dhe nga ai i PPD-së Imer Imeri. Dëshmitar në nënshkrimin e marrëveshjes ishin François Léotard, përfaqësues i posaçëm nga Bashkimi Evropian dhe James Perdue, përfaqësues i posaçëm nga SHBA.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.