Politikë

Maqedoni, prezantohet projektligji për energjetikën

"Maqedonia në vitin 2014 është zotuar të miratojë ligjin për energjetikën, por i njëjti nuk është miratuar, ku vendi iu nënshtrua disa sanksioneve të Bashkimit Evropian, siç janë bllokimi në qasjen në fondet evropiane"

Bekim Laci  | 11.12.2017 - Përdıtësım : 12.12.2017
Maqedoni, prezantohet projektligji për energjetikën Fotoreporter: Bunjamin Kurtishi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, bashkë me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në një takim me gazetarë kanë shpalosur detajet e projektligjit të ri për energjetikën, debati publik për të cilin filloi sot, ku parashihet liberalizimi i tregut në përputhje me rekomandimet e BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç sqaruan zyrtarët qeveritarë, Maqedonia në vitin 2014 është zotuar të miratojë ligjin për energjetikën, por i njëjti nuk është miratuar, ku vendi iu nënshtrua disa sanksioneve të Bashkimit Evropian, siç janë bllokimi në qasjen në fondet evropiane, ndërkohë që mos miratimi i tij, vendit mund t'i kushtoj shumë. Mosmiratimi do të nënkuptojë pamundësinë e shfrytëzimit të fondeve IPA të Bashkimit Evropian, të cilat kapin shifrat prej rreth 300 milionë euro, ku një pjesë prej 70 milionë është paraparë për hekurudhën me Bullgarinë.

Në konferencën e përbashkët për mediat, ministri Bekteshi sqaroi se me ligjin e ri për energjetikën, qeveria e vendit u kthen qytetarëve të drejtën themelore të zgjedhjes, me të cilën ata do të kenë mundësi të zgjedhin se nga kush do të furnizohen me energji elektrike, që do të thotë sipas tij fund i monopolit të deritanishëm dhe çmimit të diktuar.

“Për qytetarët tanë, hapja e tregut do të thotë mundësi e zgjedhjes, dhe me këtë edhe çmime më konkurruese. Ne si qeveri garantojmë se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet. Dua të përkujtoj se për moszbatimin e detyrimeve ne kishim dy padi të cilat me miratimin e ligjit do të anulohen”, tha Bekteshi.

Angjushev, tha se Maqedonisë i është dhënë edhe një mundësi që të miratojë ligjin, përfundimisht me qershorin e vitit 2018, për të shtuar se deri në fund të vitit, ai do t'i kalojë procedurat qeveritare për të kaluar në procedurë të rregullt parlamentare.

“Qytetarët do të kenë zgjedhje, do tu garantohet e drejta themelore për zgjedhje për secilin nga energens nga furnizuesit të cilët do të regjistrohen në vend, qoftë për naftë, gaz apo energji elektrike. Do të tejkalohet konfliktet e interesit të cilat ekzistojnë, siç është rasti me gazin dhe energjinë elektrike, ku do të zbatohen direktivat e BE-së në fushën e energjetikës”, tha Angjushev.

Ai sqaroi se ligji është i harmonizuar me Bashkësinë Energjetike e cila ka ndihmuar që ai të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së. Sipas parashikimeve të zëvendëskryeministrit Angjushev, ligji do të miratohet në pjesën e parë të vitit, ku vijon periudha nëntë mujore përgatitore për liberalizim të tregut, që do të ndodhë në fund të vitit 2018.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın