Politikë

Maqedoni, takimi koordinues i grupeve parlamentare arrin marrëveshje

Formimi i Komisionit, përbërja e të cilit do të zgjidhet në fillim të javës tjetër, është kusht për vazhdimin e seancës konstituive në të cilën duhet të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit

Besar Ademi  | 23.03.2017 - Përdıtësım : 24.03.2017
Maqedoni, takimi koordinues i grupeve parlamentare arrin marrëveshje ( Besar Ademi/AA )

Shkup

SHKUP (AA) – Pas tre ditësh bisedime mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë arrihet marrëveshje që kryetari i Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të jetë nga VMRO-DPMNE-ja, raporton Anadolu Agency (AA).

Formimi i Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, përbërja e të cilit do të zgjidhet në fillim të javës tjetër, është kusht për vazhdimin e seancës konstituive në të cilën duhet të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit.

Deri më tani është konfirmuar se kryetari i këtij komisioni do të jetë nga VMRO-DPMNE-ja, si dhe numri i anëtarëve me të cilët grupet parlamentare do të përfaqësohen në të. Në pajtim me marrëveshjen, VMRO-DPMNE do të ketë gjashtë anëtarë në komision, LSDM pesë, ndërsa BDI dhe Lëvizja BESA do të përfaqësohen me nga një anëtar.

Deputeti nga radhët e LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se pavarësisht kërkesave të palogjikshme, partia e tij ka pranuar që kryetar i Komisionit të jetë nga VMRO-DPMNE-ja, në mënyrë që, siç theksoi ai, Maqedonia të ecë përpara dhe të përparojë.

“Ne pranuam që kryetari i Komisionit të jetë nga VMRO-DPMNE-ja, në mënyrë që në Maqedoni të funksionojnë tendencat demokratike dhe të mos u mbetemi borxh qytetarëve dhe shtëpisë ligjvënëse. Në këtë mënyrë duam që të vendosim në funksion Kuvendin e Maqedonisë si një dhomë përfaqësuese më të lartë të qytetarëve të këtij vendi”, deklaroi Spasovski.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, theksoi se me këtë hap se LSDM për herë të parë pranoi se është pala e humbur. Ai theksoi se e vetmja mënyrë për dalje të vendit nga kriza është të mos pranohet platforma shqiptare, siç e quajti ai, mashtrim paszgjedhor, dhe në kohë sa më të shpejtë të mbahen zgjedhje të reja parlamentare bashkë me ato lokale.

“Mendojmë se është mashtrim paszgjedhor me pranimin e agjencës politike në të cilën ekziston një aspekt serioz i ridefinimit të shtetit, gjë për të cilën qytetarët e Maqedonisë nuk ishin të informuar në kohën e zgjedhjeve. Ne mendojmë në vet faktin se qëndrimet e shumicës së qytetarëve të Maqedonisë zgjidhjen e krizës e shohin në zgjedhje të reja parlamentare”, deklaroi Dimovski.

Ndryshe, seanca konstituive parlamentare filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo u ndërpre për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë. Vazhdimi i seancës konstituive vjen pas dorëzimit të iniciativës nga LSDM-ja, e cila u mbështet nga deputetët e BDI-së dhe Lëvizjes BESA. Kjo iniciativë e mazhorancës së re parlamentare numëron 67 deputetë nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Iniciativa për vazhdimin e seancës konstituive është rezultat i konsultimeve disaditore mes partive parlamentare, pas pothuajse 80 ditë nga verifikimi i mandateve të deputetëve. Përbërja e nëntë e Kuvendit të Maqedonisë u konstitua më 30 dhjetor të vitit të kaluar me verifikimin e mandateve të 120 deputeëve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, mirëpo u ndërpre për shkak të mos sigurimit të një shumice parlamentare për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, së pari ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili në afat kohor prej 20 ditësh nuk arriti të formojë shumicë parlamentare, pas së cilës presidenti Ivanov i thirri në konsultime krerët e partive politike që morën mandate në Kuvendin e Maqedonisë dhe u kërkoi dëshmi për shumicë parlamentare.

Edhe pse kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ia dorëzoi presidentit dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, presidenti Ivanov pas dy ditëve të njëjtën e refuzoi duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocionon për platforma të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet karakteri unitar, sovraniteti dhe pavarësia e Maqedonisë”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.