Politikë

Maqedoni, takimi koordinues në Kuvend pa progres

Përbërja e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për caktim të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit

Besar Ademi  | 22.03.2017 - Përdıtësım : 23.03.2017
Maqedoni, takimi koordinues në Kuvend pa progres ( Besar Ademi/AA )

Shkup

SHKUP (AA) – Takimi koordinues i grupeve parlamentare për përcaktimin e propozim përbërjes së Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, e cila mbahet prapa dyerve të mbyllura në Kuvendin e Maqedonisë, përfundoi pa progres, ndërsa për të njëjtën u paralajmërua se do të vazhdojë gjatë ditës së nesërme, raporton Anadolu Agency (AA).

Përbërja e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për caktim të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, e cila filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por u ndërpre për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë.

Takimi koordinues vjen pas iniciativës së dorëzuar nga LSDM-ja pas së cilës bisedimet filluan nga dita e djeshme, por përfunduan pa marrëveshje. Siç është konstatuar, në këtë komision VMRO-DPMNE do të ketë gjashtë anëtarë, LSDM pesë, ndërsa BDI dhe Lëvizja BESA do të përfaqësohen me nga një anëtar.

Sipas rregullores së Kuvendit të Maqedonisë, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve zgjidhet në seancë konstituive të Kuvendit me propozim të të paktën 10 deputetëve, ndërsa përbërja e saj duhet të sigurojë përfaqësim adekuat të deputetëve nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Ky komision apo të paktën 20 deputetë mund të propozojnë kandidat për kryetar të Kuvendit, ndërsa propozues mund të jetë edhe ndonjë deputet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın