Politikë

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, reagojnë pas protestës në Mushtisht

Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës shprehin keqardhje për ngjarjet që ndodhën sot gjatë protestës së banorëve në Mushtisht të Suharekës, për ardhjen e serbëve të zhvendosur nga ky fshat

Sibel Vezaj  | 28.08.2016 - Përdıtësım : 28.08.2016
Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, reagojnë pas protestës në Mushtisht

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës shprehin keqardhje për ngjarjet që ndodhën sot gjatë protestës së banorëve në Mushtisht të Suharekës, për ardhjen e serbëve të zhvendosur nga ky fshat, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se Qeveria e Kosovës respekton të drejtën e çdo qytetari për protestë paqësore dhe konsideron se kërkesat e qytetarëve për zbardhjen e plotë të të gjitha krimeve të luftës dhe dënimin e të gjithë autorëve të tyre është plotësisht legjitime. Por, përkundër gjithë këtyre, bëhet e ditur se çdo qytetar i Kosovës, pa dallim të përkatësisë etnike ka të drejtë të kthehet në pronat e tij.

“Qeveria e Kosovës konsideron se çdo qytetar i Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, ka plotësisht të drejtë të kthehet në pronat e tij, në mënyrë të papenguar. Kjo është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me të gjitha aktet ligjore, me konventat ndërkombëtare por është në përputhje me traditën, vullnetin dhe vizionin e popullit të Kosovës për bashkëjetesë paqësore”, thuhet në njoftim nga zyra e Kryeministrit.

Ndërkohë, në një njoftim nga Kuvendi thuhet se kryeparmentari Kadri Veseli ka theksuar se ngjarjet e tilla të cilat mund të keqpërdoren dhe të krijojnë imazh negativ për vendin, nuk i duhen Kosovës.

“Plagët e luftës të Mushtishtit, ashtu si të gjithë Kosovës, janë plagë të rënda që kërkojnë drejtësi, por në çdo rast duhet të bëhet dallimi i domosdoshëm në mes atyre që kanë bërë krime dhe komunitetit serb në Republikën e Kosovës. Përgjegjësia gjithmonë është individuale e institucionale, por jo kolektive. E drejta e praktimit të besimit fetar, liria e lëvizjes, e drejta e kthimit në pronën legjitime, për secilin qytetar, pa dallim përkatësie, janë të drejta themelore në Republikën e Kosovës dhe është obligim ligjor garantimi i tyre”, ka shprehur Veseli.

Qytetarë të shumtë Mushtishtit sot protestuan kundër ardhjes së serbëve të zhvendosur nga ky fshat , duke kërkuar që së pari të zbardhen vrasjet që kanë ndodhur nga serbët, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Gjatë protestave më shumë se 20 qytetarë të Mushtishtit u arrestuan ndërsa disa policë u lënduan nga gjuatjet e protestuesve me mjete të forta. Kurse serbët të cilët kishin ardhur të merrnin pjesë në një festë fetare vendosën të largohen nga vendi, të cilët shkuan në Manastirin e Zoçishtës në komunën e Rahovecit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.