Politikë

Thaçi takon liderët e partive politike për datën e zgjedhjeve

Thaçi tha se në përputhje me nenin 66 pikën 2 të Kushtetutës së Kosovës zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit

Figen Shaban  | 11.05.2017 - Përdıtësım : 11.05.2017
Thaçi takon liderët e partive politike për datën e zgjedhjeve Fotoreporter: Zülfiya Yakup/AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas shpërndarjes së legjislaturës së pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti një takim konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi tha se në përputhje me nenin 66 pikën 2 të Kushtetutës së Kosovës zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.

“Më saktësisht sipas Ligjit për zgjedhje të përgjithshme dita kur duhet të mbahet zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të jetë ditë e dielë, jo më herët se 30 ditë nga shpërndarja dhe jo më vonë se 45 nga shpërndarja e Kuvendit”, tha Thaçi.

Thaçi bëri të ditur se sipas kushtetutës dhe ligjit për zgjedhje të përgjithshme datat për zgjedhjet e ardhshme të Kuvendit të Kosovës janë 11 ose 18 qershor 2017.

Ai nënvizoi se procesi i zgjedhjeve duhet të jetë i lirë, i drejtë dhe transparent. Thaçi theksoi se edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është shprehur i gatshëm të organizojë zgjedhjet ku e pranishme në këtë takim ishte edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Ai duke theksuar se në Kosovë është instaluar tradita e zgjedhjeve të lira tha se është krijuar një proces elektoral i besueshëm dhe i pranueshëm nga të gjithë.

“Dëgjuat opinionin e 20 partive politike të Kosovës. Është një opinion që si President i vendit në bazë të autoritetit dhe kompetencave të mia ligjore dhe kushtetuese do ta respektojë. Në ditët e ardhshme do ta caktoj datën e zgjedhjeve tashmë pasi që u konsultuam edhe me KQZ-në dhe shprehu gadishmërinë që të fillojë punën menjëherë në mënyrë që zgjedhjet të jenë fer, të lira, demokratike dhe të pranueshme nga të gjithë dhe të jetë data 11 ose 18 qershor e cila do të bëhet publike në ditët e ardhshme”, tha Thaçi.

Në këtë takim Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është përfaqësuar nga Hajredin Kuçi, Sllobodan Petroviç (Partia Liberale Serbe), Nenad Raşiç (Lista Serbe), Ferid Agani (Partia e Drejtësisë), Sllavko Simiç (Lista Serbe), Agim Bahtiri (Aleanca Kosova e Re), Mahir Yağcılar (Partia Demokratike e Turqve të Kosovës), Valdete Bajrami (Nisma për Kosovën), Pal Lekaj (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Ismajl Kurteshi (Lëvizja Vetëvendosje), ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka marrë pjesë askush në këtë takim.

Ndryshe, të mërkurën Kuvendi i Republikës së Kosovës me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, me çka vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın