Politikë

Xhaferi: Presidenti duhet të japë mandatin, alternativë tjetër nuk ka

Xhaferi theksoi se presidenti i vendit nuk ka të drejtë të kërkojë asgjë nga shumica parlamentare, por siç tha ai, “dëshiron ose nuk dëshiron, ai ka obligim te japë mandatin"

Besar Ademi  | 12.05.2017 - Përdıtësım : 13.05.2017
Xhaferi: Presidenti duhet të japë mandatin, alternativë tjetër nuk ka Fotoreporter: Besar Ademi/AA

Shkup

SHKUP (AA) – Kryetari i ri i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në takimin e sotëm të realizuar në kabinetin e tij me përfaqësuesit e medias, përsëriti se “Presidenti Gjorge Ivanov duhet të mandatojë udhëheqësin e shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e re dhe alternativë tjetër nuk i mbetet”, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhaferi theksoi se ai si kryeparlamentar obligimet e tij për të njoftuar presidentin se është krijuar shumicë parlamentare i ka kryer dhe nuk është i obliguar që të lus presidentin të japë mandatin për formimin e qeverisë së re. Ai shtoi se sipas kushtetutës, presidenti i vendit nuk ka të drejtë të kërkojë asgjë nga shumica parlamentare, por siç tha ai, “dëshiron ose nuk dëshiron, ai ka për obligim të japë mandatin, sepse refuzimi është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”.

Kryeparlamentari i ri bëri të ditur se presidenti është njoftuar më 9 maj, ndërsa zyrtarisht letrën e ka pranuar më 10 maj. Ivnaov ka afat prej 10 ditëve që të japë mandatin, në të kundërtën tha Xhaferi, shumica parlamentare ka të drejtë që pa pengesa të zgjedh qeverinë e re, pa mandatin e presidentit Ivanov.

Mirëpo, Xhaferi nuk përjashtoi mundësinë e përsëritjes së incidentëve nga protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” në rast se qeveria zgjidhet pa mandatimin nga ana e presidentit Ivanov. Ai duke apeluar për protesta të qeta që të mos përsëritet 27 prilli, theksoi se gjithkush ka të drejtë të protestojë, por askush nuk ka të drejtë të pengojë formimin e qeverisë së re nga shumica parlamentare, e cila përfaqëson shumicën e qytetarëve në Maqedoni.

Në takimin me gazetarët, Xhaferi theksoi edhe nevojën për zgjidhje të çështjes së pushtetit lokal për shkak të mosmbajtjes së zgjedhjeve lokale. Ai bëri të ditur se deputetët tashmë janë njoftuar dhe se kjo çështje kërkon harmonizim urgjent nga shumica parlamentare lidhur me ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor si dhe për aktivitetet tjera që kanë të bëjnë në procedurën e konfirmuar në Rregulloren e Kuvendit.

Në lidhje me përfshirjen e deputetëve në incidentin e 27 prillit ku turma e protestusve të Iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” hyri me dhunë në Kuvend dhe sulmoi deputetët, Xhaferi potencoi se nëse deputeti ngarkohet me vepër penale deri në 5 vjet heqje lirie, atëherë të njëjtëve duhet t’u respektohet imuniteti, mirëpo nëse ngarkohet me vepër penale mbi 5 vjet heqje lirie, atëherë shumica parlamentare ka të drejtën e marrjes së imunitetit apo mandatit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın