Sport

Bunjaki publikon listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen me Islandën

Trajneri Bunjaku theksoi se kombëtarja e Kosovës përbëhet nga një ekipë e re. Sipas tij kjo bën që kjo ekipë të mos ketë përvojë për të laujtur së bashku, por në anën tjetër rrit konkurueshmërinë mes lojtarëve

Sibel Vezaj  | 20.03.2017 - Përdıtësım : 21.03.2017
Bunjaki publikon listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen me Islandën ( Erkin Keçi/AA )

Prishtinë

PRISHTINË (AA)-Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, sot mbajti një konferencë për media ku shpalosi listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen kualifikuese Kosovë-Islandë, e cila do të zhvillohet më 24 mars në stadiumin “Loro Boriçi”, në Shkodër, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusi 2018”, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë kësaj konference, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, Bunjaku tha se në ndeshjen me Islandën, Kosova duhet të ketë qëndrueshmëri mentale, fizike dhe durim. Ai theksoi se ekipi e tij mund të mos ketë shumë shanse, por që ato që do t’i ketë duhet t’i shfrytëzojë dhe t’i realizojë.

“Mendoj që është një shembull shumë I mirë sidomos për shtetet që janë më të vogla, që me një organizim dhe një ide të mirë të lojës, me një karakter fitues, qëndrueshmëri mentale, arrihet çdo gjë. Dhe kjo nuk është befasi për shumë shtete që e njohin mënyrën se si është punuar, është investuar në palestra, në stadiume të mbyllura dhe në programe të edukimit. Pra rezultati i tyre nuk është një vjeçar, lojtarët e tyre një kohë të gjatë luajnë së bashku”, tha Bunjaki.

Ai po ashtu tha se Kosova ka ende mungesa, ku theksoi se Islanda pas ndeshjes së fundit kualifikuese me Kroacinë, ka bërë edhe 4 ndeshje të tjera miqësore dhe se Kosova nuk ka mundur të bëjë ndonjë të tillë pas ndeshjes së fundit me Turqinë për arsye të mungesës së stadiumit.

“Kjo tregon parapërgatitjet shumë më të mira që i kanë ata, se sa që ne i kemi, mirëpo, mendoj që kjo lidhet direkt me infrastrukturën, meqenëse nuk kemi stadiumin ku mund ta luajmë një lojë miqësore. Organizimi i lojërave miqësore jashtë Kosovës është shumë më i vështirë. Sidoqoftë, nëse i kthehemi lojës pres që të jetë një lojë fizike, jemi të përgatitur, mendoj që pjesa dërmuese e lojtarëve janë në formë të mirë”, tha Bunjaki.

Së fundi, trajneri Bunjaki theksoi se kombëtarja e Kosovës përbëhet nga një ekip i ri, ku pothuajse në çdo ndeshje ftohen lojtarë të rinj. Sipas tij kjo bën që ky ekip të mos ketë përvojë për të luajtur së bashku, por në anën tjetër rrit konkurueshmërinë mes lojtarëve. Ai po ashtu u shpreh se kualifikimi në Grupin I është shumë I rëndësishëm për të fituar përvojë, meqë sipas tij Kosova ballafaqohet me kundërshtarë superior.

Për ndeshjen kualifikuese me Islandën përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki ka ftuar 23 lojtarë, ku për herë të parë të ftuar janë sulmuesit Besart Berisha dhe Atdhe Nuhiu, si dhe mesfushorin Dionis Avdijaj.

Të ftuarit për këtë ndeshje janë:

Portier: Sajmir Ujkani (AC Pisa), Adis Nurkoviq (NK Travnik), Bledar Hajdini (KF Trepça 89)

Mbrojtës: Fanol Perdedaj (TSV 1869 Munchen), Alban Pnishi (Grasshoper CZ), Amir Rrahamani (NK Lokomotiva), Leard Paqarada (SV Sandhausen), Mërgim Vojvoda (Mouscron), Benjamin Kololli (FC Laussane), Fidan Aliti (NK Slaven Belupo), Ardijan Ismaili (HNK Hajduk Split).

Mesfushor: Hekuran Kryeziu (FC Luzern), Erolind Shala (Kasimpasa S.K.), Valon Berisha (Salzburg), Milot Rashica (SSV Vittese), Bernard Berisha (Terek Grozny), Bersan Celina (FC Twente), Arbër Zeneli (Hereenveen), Elbanan Rashani (Rosenborg) dhe Dionis Avdijaj (Schalke 04).

Sulmues: Besart Berisha (Melbourne Victory FC), Atdhe Nuhiu (Sheffield Wendesday) dhe Vedat Muriqi (Gençlerbirligi S.K).

Kosova ndodhet në grupin I, së bashku me Kroacinë, Turqinë, Islandën, Finlandën dhe Ukrainën. Ndeshja me Islandën është ndeshja e pestë e radhës dhe Kosova tani ndodhet në vendin e gjashtë në grup, me 1 pikë. Ndryshe, Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA në maj të vitit të kaluar, nëpërmjet së cilës u bë pjesë e ndeshjeve kualifikuese për Botërorin "Rusi 2018".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.