Sport

Miftari: Gjithçka është gati për ndeshjen kundër Tsmoki-Minskut

Drejtori i klubit Sigal Prishtina dhe ish-basketbollisti i KB Prishtinës, Florian Miftari, gjatë konferencës tha se ekipi është i kompletuar dhe gjithçka është gati për ndeshjen e nesërme kundër ekipit bjellorus "Tsmoki-Minsk"

Figen Shaban  | 18.09.2017 - Përdıtësım : 18.09.2017
Miftari: Gjithçka është gati për ndeshjen kundër Tsmoki-Minskut ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina organizoi konferencë për mediat, një ditë para debutimit në Ligën e Kampioneve kundër ekipit bjellorus "Tsmoki-Minsk", që do të zhvillohet nesër në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i klubit Sigal Prishtina dhe ish-basketbollisti i KB Prishtinës, Florian Miftari, gjatë konferencës tha se ekipi është i kompletuar dhe gjithçka është gati për ndeshjen e nesërme. Ai theksoi se suksesi i djeshëm i Sllovenisë, e cila u bë kampione e Evropës, do të jetë një shpresë edhe për basketbollin e Kosovës.

“Përgatitjet për këtë ndeshje janë maksimale do të ketë edhe shumë befasi në organizim si lojëra shpërblyese dhe aktivitete të ndryshme kulturore. Normalisht unë jam këtu për të bërë thirrje që të vini në numër sa më të madh ta ndiqni këtë ndeshje sepse është një ndeshje historike dhe është njëra prej ndeshjeve kryesore që Sigal Prishtina luan prej që ekziston si klub që nga viti 1970”, tha Miftari.

Ndërsa, trajneri i klubit turku Ahmet Kandemir gjatë fjalës së tij tha se Liga e Kampionëve është një dritare e re për basketbollin shtetëror dhe për lokomotivën e basketbollit kosovar Sigal Prishtinën pas njohjes së basketbollit të Kosovës nga FIBA. Kandemir duke nënvizuar se në këtë turne do të ketë ekipe me traditë dhe buxhet shumë më të lartë, theksoi: “Është një fillim i ri për shtetin dhe klubin. Normalisht kur fillon ndeshja në parket nuk flet buxheti i klubit, por kapaciteti dhe motivimi i lojtarëve dhe përkundër kohës shumë të shkurtër të përgatitjes lojtarët sakrifikuan dhe u përgatitën shumë mirë. Sikurse të kishim më shumë kohë do të ishte më mirë, por ky është realiteti."

Kandemir duke folur edhe për ndeshjen e parë kualifikuese të KB Prishtinës me Tsmoki-Minsk theksoi se do të jetë vështirë sepse ndeshja e parë do të luhet në Prishtinë.

Ndërsa, basketbollisti i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha, duke theksuar se janë të motivuar maksimalisht për këtë ndeshje tha se në KB Prishtinë ka ardhur për fitore dhe për të shkruar një histori me klubin më të madh në vend. “Në emër të gjithë lojtarëve e di që do të jemi të angazhuar 100 për qind për të fituar ndeshjen sidomos këtë të paren që është shumë e rëndësishme për ne”, tha Berisha.

Ndeshja KB Sigal Prishtina- Tsmoki Minsk do të zhvillohet nesër në orën 18:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Ndryshe, Champions League(Liga e Kampioneve) , është gara më prestigjioze e organizuar nga FIBA në Evropë në të cilën garojnë kampionët dhe ekipet më të mira të ligave më të forta evropiane. Ndeshjet do të zhvillohen më 19 dhe 21 shtator. Tetë fituesit e raundit të parë do të kualifikohen për raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.