Turqia

Bozdağ: Gjykimi i Rıza Sarraf në SHBA është proces politik

Zv/kryeministri turk Bozdağ tha se kohëve të fundit në SHBA po ndodhin një numër rastesh të drejtuara kundër Turqisë dhe paralajmëroi se këto raste kërcënojnë bashkëpunimin dypalësh

Kerem Kocalar  | 19.11.2017 - Përdıtësım : 20.11.2017
Bozdağ: Gjykimi i Rıza Sarraf në SHBA është proces politik

Adıyaman

ADIYAMAN (AA) – Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdağ sot deklaroi se ngritja e hetimeve dhe procedimet kundër biznesmenit Rıza Sarraf në SHBA nuk kanë bazë ligjore dhe se ajo është një rast i montuar politik, raporton Anadolu Agency (AA).

"Procesi gjyqësor që po zhvillohet në SHBA kundër Rıza Sarraf u bë një çështje prioritare edhe në axhendën tonë. Nga këtu e them hapur se ky është një proces i montuar politik pa asnjë bazë dhe arsyetim ligjor", tha Bozdağ në fjalimin e tij në Kongresin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), që u mbajt sot në qytetin e qarkut Adiyaman.

Bozdağ tha se kohëve të fundit në SHBA po ndodhin një numër rastesh të drejtuara kundër Turqisë dhe paralajmëroi se këto raste kërcënojnë bashkëpunimin dy palësh në mes Ankarasë dhe Washingtonit.

Si një nga këto raste e përmendi edhe arrestimin dhe gjykimin e biznesmenit turk Sarraf, dhe tha se ky rast nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje që përmes SHBA-së të tentohet rrënimi i sistemit ligjor të Turqisë, për të cilën nuk pati sukses organizata terroriste me goditjen në sistemin ligjor në periudhën nga 17 deri më 25 dhjetor 2013.

"Nga këtu parashtrojmë disa pyetje dhe presim përgjigje nga zyrtarët amerikanë. Ku i keni dhe nga i keni marrë provat e supozuara në rastin Sarraf, a janë ato dokumente dhe dëshmi që keni kërkuar si ndihmë juridike nga Turqia apo i keni marrë ato diku tjetër? A keni dokumente origjinale, kopje ose këto që i keni janë të falsifikuara? Duhet të flitet sepse përmendet se ka raporte, prandaj le të zbulohen se të kujt janë këto raporte dhe kush dhe nga cili funksion i ka nënshkruar", tha Bozdağ.

Duke theksuar se institucionet amerikane nuk kanë prova, Bozdağ tha se kjo është një goditje klasike ndaj sistemit gjyqësor turk.

"Gjykata e SHBA-së që nga dita e arrestimit të Sarraf ka kërcënuar edhe të tjerët për të pranuar pretendimet nga aktakuza dhe të lirohen ose në të kundërtën do të ballafaqohen me burgime disa vjeçare. Vallë është e mundur të ketë gjykata të tilla dhe a është e mundur pastaj të flitet për një shtet ligjor. Të gjitha këto operacione janë nisur kundër Republikës së Turqisë", tha Bozdağ.

Duke theksuar se askush nuk përfiton nga operacione të tilla, Bozdağ tha se Turqia gjithmonë ka ndërmarrë gjithçka për të mbrojtur interesat e saj dhe do të vazhdojë të bëjë këtë, dhe se të gjitha marrëdhëniet tregtare ndërmjet Turqisë dhe Iranit janë në pajtim me ligjet dhe standardet ndërkombëtare.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın