Turqia

Yıldırım: Bota duhet të ndalojë trendin në rritje të ideologjive radikale dhe ekstremiste

"Kudo që shfaqet terrorizmi, ne e konsiderojmë si armik të njerëzimit. Terrorizmi është problemi i gjithë njerëzimit. Pavarësisht të gjithave, kudo dhe pa bërë dallime, ne duhet të dënojmë terrorizmin", tha Yıldırım

Murat Paksoy  | 18.10.2017 - Përdıtësım : 18.10.2017
Yıldırım: Bota duhet të ndalojë trendin në rritje të ideologjive radikale dhe ekstremiste Fotoreporter: Emrah Yorulmaz / AA

Stamboll

STAMBOLL (AA) - Kryeministri i Turqisë Binali Yıldırım tha se bota duhet të zhvillojnë një gjuhë të përbashkët kundër të gjitha llojeve të diskriminimit dhe urrejtjes dhe të mos lejojë rritjen e trendeve që ushqejnë radikalizmin dhe ideologjitë e ekstremizmit të cilat eskalojnë në dhunë, raporton Anadolu Agency (AA).

"Në epokën tonë, për fat të keq kemi racizëm, ksenofobi, islamofobi dhe forma të tjera të diskriminimit, të cilat largojnë dhe shkaktojnë përçarje dhe destabilizime shtesë në shoqëri. Duhet të zhvillohet një gjuhë e përbashkët e bazuar në respektin dhe solidaritetin e ndërsjellë, ashtu që bashkarisht të përballemi me këto trende", tha Yıldırım në adresimin e tij në hapjen e Forumit TRT World në Stamboll.

Ai theksoi se terrorizmi është një problem i gjithë njerëzimit dhe se lufta kundër saj kërkon bashkëpunim global.

"Kudo që shfaqet terrorizmi, ne e konsiderojmë si armik të njerëzimit. Terrorizmi është problemi i gjithë njerëzimit. Pavarësisht të gjithave, kudo dhe pa bërë dallime, ne duhet të dënojmë terrorizmin. Bashkëpunimi global është i domosdoshëm për një luftë të fortë kundër terrorizmit", tha Yıldırım.

Duke folur për praninë e rrymave të armiqësisë ndaj të huajve dhe emigrantëve në Evropë, e cila, siç tha, në periudhën e fundit ka ndikim edhe në fushën politike, Yıldırım tha:

"Kjo qartë vërteton shqetësimin të cilin e adresonim në periudhën e kaluar. Duke marrë parasysh të gjitha këto zhvillime, Turqia do të vazhdojë me politikën e saj dashamirëse dhe politikën e zgjatjes së dorës. Sa do që jemi të shqetësuar për problemet në Siri, po aq i kemi kushtuar rëndësi edhe çështjes së Arakanit. Sa do që kemi vrapuar për të ndihmuar Palestinën, po aq do të angazhohemi për të ndihmuar edhe Somalinë".

Yıldırım gjithashtu foli edhe rreth zhvillimeve të fundit në Siri.

Ai gjithashtu rikujtoi se Turqia, Rusia dhe Irani kanë filluar me formimin e rripit të sigurisë për t'i dhënë fund konfliktit dhe për të krijuar siguri në rajonin e qytetit sirian, Idlib.

"Në përputhje me respektin e integritetit territorial dhe respektimin e kërkesave demokratike të popullit sirian, ne do të vazhdojmë të mbështesim çdo hap drejt ndërtimit të Sirisë prosperuese dhe të qëndrueshme", tha Yıldırım.

Ndërkaq sa i përket luftës kundër organizatës terroriste DEASH, Yıldırım theksoi se gjatë ofensivës "Mburoja e Eufratit", Turqia pastroi një territor prej 2.000 kilometrash katrorë dhe mundësoi kthimin e popullatës siriane në këtë zonë.

"Gjatë ofensivës, neutralizuam mbi 3.600 pjesëtarë të organizatës terroriste DEASH. Asnjë vend i botës nuk ka treguar një luftë më të vendosur kundër DEASH-it, në shkallën sa tregoi Turqia. Përveç kësaj, ne kemi arrestuar të paktën 4.500 pjesëtarë të DAESH-it, i kemi burgosur dhe ne kemi penguar rreth 50 mijë luftëtarë të huaj që të futen në zonat e luftës përmes territorit tonë", theksoi Yıldırım.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın