ANKARA (AA) - Sipas ekspertëve, ambiciet e Rusisë për të themeluar agjencinë e vet të vlerësimit kreditor janë parë si hap për të thyer monopolin e Perëndimit mbi tregjet financiare globale, si dhe për ta bërë më efikas tregun e agjencive të brendshme të vlerësimit, raporton Anadolu Agency.
E emëruar si Agjencia Analitike ruse e Vlerësimit Kreditor (ACRA), që mbështetet nga Banka Qendrore e Rusisë, është planifikuar që vlerësimin e saj të parë ta bëj në vitin 2016.
Sanksionet, të cilat kanë në shënjestër sektorët e energjisë dhe ato financiarë të Rusisë, fillimisht detyroi ekonominë ruse drejt masave shtrënguese, përfshirë edhe çmimet e ulëta të naftës.
Përmes sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, Evropa dhe SHBA-të kanë goditur rëndë ekonominë e Rusisë, veçanërisht duke kufizuar qasjen në financat perëndimore.
"Tregjet financiare janë bërë fushëbetejë e re në të cilën vendet e luftojnë njëra-tjetrën", tha për Anadolu Agency, Arif Unver, kreu i Shoqatës turke të Investuesëve në Tregun e Kapitalit.
Duke theksuar se agjencitë e vlerësimit të kreditit janë ndër armët më efikase për betejat financiare, Unver tha se këto agjenci lehtë mund ta çojnë vendin në një pozitë të vështirë, ose ta ndihmojë atë në përballimin e krizave.
"Në qoftë se përmirësohet vlerësimi i kredisë të vendit, kjo do të jetë më e lehtë për atë vend që të ketë qasje në financa, por në qoftë se ju dëshironi të bllokoni që shteti të ketë qasje në para, e gjitha që duhet të bëni është ulja e vlerësimit të saj", tha Unver.
Tre agjencitë më të mëdha të vlerësimit, Moody, Standard & Poor (S & P) dhe Fitch, që të gjitha kanë ulur vlerësimin sovran të kreditit rus këtë vit. Për shembull, S&P, ka vendosur Rusinë në 'BB +' apo statusin 'junk', e cila është një shenjë për investitorët që të "rrinë larg".
Tre agjencitë më të mëdha të vlerësimit në botë gjithashtu janë me seli në SHBA.
"Duke krijuar agjensinë e vet të vlerësimit kreditor, Rusia po përpiqet të bëjë karshillëk këtyre agjencive", tha Unver.
Për më tepër, Marcel Salikhov, kreu i departamentit të ekonomisë në Institutin e Moskës për Energjinë dhe Financa, ka thënë se ideja kryesore e ACRA është për të sjellë më shumë transparencë dhe efikasitet në tregun e agjencive të brendshme të vlerësimit.
Ai vuri në dukje se ka disa agjenci lokale ruse, duke përfshirë RAEX, Rusrating, etj të cilat kryesisht vlerësojnë çështjet dhe obligacionet e brendshme por nuk kanë ndikim të mjaftueshëm tek investitorët potencialë.
"Shërbimet e Standard & Poor, Fitch, Moody's, janë të shtrenjta dhe nuk janë të nevojshme për çështjet e mesme", tha mes tjerash Salikhov, duke shtuar se si rezultat "Banka Qendrore ruse dëshiron që të ketë një vlerësim relativisht më të madh (në krahasim me agjencitë vendase), agjenci të pavarur që kanë burime dhe kapacitete të mjaftueshme për të zgjeruar mbulimin e këtyre vlerësimeve".
Salikhov shpjegoi se kreu i agjencisë së Ri do të jetë Ekaterina Trofimova e cila ka punuar për Standard & Poor's për 10 vjet dhe që ka një përvojë të madhe se si agjencioni të veprojë në aspektin global.
Doris Keicher, menaxhere e lartë në Standard & Poor tha se ata mirëpresin konkurrencën.
"Është e rëndësishme që të ketë një fushë veprimi të barabartë për agjencitë e vlerësimit kreditorë", tha Keicher, duke shtuar se, "Nëse agjencioni i vlerësimit është i sukseshëm ose jo, në një shkallë të madhe varet nga pranimi i saj nga lojtarët e tjerë të tregut, në veçanti investitorët."