BALLKANI

"Faza e re e dialogut Kosovë-Serbi nuk duhet të fillojë pa autorizimin e Kuvendit"

Kryetarja e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani, duke folur për formatin e dialogut tha se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më transparente

Figen Shaban  | 19.03.2018 - Përdıtësım : 20.03.2018
"Faza e re e dialogut Kosovë-Serbi nuk duhet të fillojë pa autorizimin e Kuvendit" Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), mbajti takimin e radhës me kryetarë të komisioneve parlamentare të Kuvendit ku tema e debatit ishte "Roli i komisioneve parlamentare në mbikëqyrje të dialogut Kosovë-Serbi", raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani, në hapje të debatit duke folur për formatin e dialogut tha se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më transparente dhe duhet të adresohen kërkesat e qytetarëve dhe të mësojnë se cilat janë temat që do të diskutohen në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ajo tha se në takimin që kanë mbajtur si komision me shefin e delegacionit negociator për dialogun me Serbinë në Qeverinë e Kosovës, Avni Arifi, ai ka bërë të ditur se nuk do të ketë marrëveshje të reja, por që nuk ka dhënë detaje rreth platformës së re të dialogut.

Ajo kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të dërgojë platformë të detajuar rreth temave që do të diskutohen në Bruksel duke nënvizuar se "kuvendi ka ngelur në terr informativ".

“Faza e re e dialogut nuk do duhej të fillojë pa u analizuar dhe vlerësuar marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të këtij procesi dhe nuk do duhej të fillojë pa autorizim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Kjo është propozuar që të bëhet nëpërmjet një rezolute të re e cila do të arrinte një dakordësim të spektrit të gjerë politik dhe do të qartësonte rolin e qeverisë, rolin e kuvendit dhe presidentit në raport me dialogun”, tha Osmani.

Jeta Krasniqi nga KDI tha se, KDI prej dy muajsh është duke punuar me Kuvendin e Kosovës që ta fuqizojë rolin mbikëqyrës të tij ndaj ekzekutivit.

“Mbeten shumë pak informacione apo hiç se çfarë ndahet qoftë me Kuvendin e Kosovës apo edhe me qytetarët se çfarë është duke u diskutuar në kuadër të këtij procesi dhe cilat janë dakordimet. Si në të kaluarën edhe për herë është raportuar që BE- ja do të jetë ajo që do të jap këto informacione dhe ato çka ne kemi parë nga deklaratat e BE-së kanë qenë deklarata të përgjithshme të cilat nuk japin detaje se çfarë janë duke diskutuar palët apo për çfarë janë dakorduar”, tha Krasniqi.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, duke theksuar se ka dallime edhe brenda komisioneve në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës sa i përket dialogut Kosovë- Serbi, kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të arritura vetëm në qoftë se ato janë në favor të qytetarëve të Kosovës. “Por ne e dimë se shumë prej këtyre marrëveshjeve nuk janë në favor të qytetarëve dhe vetë Republikës së Kosovës, andaj edhe nuk mund të bëjë thirrje që të njëjtat të zbatohen”, tha Haxhiu.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın