BALLKANI

Inaugurohen zyrat e rinovuara të Radio Kosovës nga TIKA

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kılıç në fjalën e saj u shpreh se RTK-ja duke vazhduar zhvillimin e saj, duhet të bëhet lokomotivë e zhvillimit edhe të medias në Kosovë

Figen Shaban  | 22.03.2018 - Përdıtësım : 23.03.2018
Inaugurohen zyrat e rinovuara të Radio Kosovës nga TIKA Erkin Keçi/AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka realizuar inaugurimin e projektit të rinovimit dhe furnizimit me inventar të zyrave të redaksisë turke dhe të redaksive të komuniteteve si dhe të Zyrës së menaxhimit të Radio Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA). 

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala, drejtori i Përgjithshëm i Radio Kosovës, Azem Bujupi, anëtarët e kryesisë së RTK-së si dhe gazetarë dhe punëtorë të Radio Kosovës. 

TIKA ka realizuar rinovimin dhe furnizimin e studiove dhe zyrave me tavolina, ormanë, karrige, kompjuterë dhe pajisje tjera elektronike të redaksisë turke dhe redaksive të komuniteteve (redaksia boshnjake, serbe dhe rome) të Radio Kosovës.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kılıç në fjalën e saj u shpreh se RTK-ja duke vazhduar zhvillimin e saj, duhet të bëhet lokomotivë e zhvillimit edhe të medias në Kosovë. Ajo falënderoi TIKA-n për punën e saj në Kosovë duke theksuar se ndjehet krenare me aktivitetet e zhvilluara deri më tani.

“Duke i uruar të gjithë punëtorët e Radio Kosovës shpresoj se si rezultat i realizimit të këtij projekti sot me përmirësimin e kushteve dhe ambienteve të punës së Radio Kosovës do të përmirësohet edhe kualiteti i punës së personave dhe miqve tanë këtu”, tha Kılıç.

Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala gjatë fjalës së tij falënderoi ambasadoren e Turqisë, Kılıç për ndihmat e ofruara deri më tani. Ai tha se RTK-ja ka bashkëpunim dhe marrëveshje edhe me Radio Televizionin Turk (TRT). Shala u shpreh se Kosova është me fat që ka ambasadoren Kılıç këtu e cila vjen nga një shtet mik siç është Turqia.

"Ne kemi diskutuar shumë çështje me ambasadoren për zhvillimin e RTK-së dhe tashmë ka filluar realizimi i atyre diskutimeve që do të thotë se kemi rinovimin që është bërë në radio", tha Shala.

Ndërsa, kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi shprehu dëshirën për vazhdimin e bashkëpunimit me Radio Televizionin Turk (TRT), TIKA-n dhe me shtetin turk në përgjithësi.

"Falënderoj shumë edhe njëherë ambasadoren e Turqisë në Kosovë për gjithë kontributin e saj që kur ka ardhur në Kosovë dhe për bashkëpunimin që ka patur me ne si RTK. Falëndëroj gjithashtu edhe TIKA-n për kontributin që i ka dhënë dhe i jep RTK-së dhe në veçanti Radio Kosovës në zyrat dhe studiot që i vizituam", tha Maliqi.

Kujtojmë se në muajin prill të vitit të kaluar në kuadër të projektit të mbështetur nga TIKA filloi puna e “Rinovimit dhe furnizimit të zyrave të redaksisë turke dhe të redaksive të komuniteteve si dhe të Zyrës së menaxhimit të Radio Kosovës”. 







Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın