BALLKANI

"Kroacia përshëndet angazhimin e Brukselit për integrimin evropian të rajonit"

Ivanov duke marrë shembull marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Sllovenisë, theksoi se çështjet e hapura mund të zgjidhen paralelisht duke u mbajtur bisedimet për zgjidhje dhe për anëtarësim në BE

Besar Ademi  | 26.04.2018 - Përdıtësım : 27.04.2018
"Kroacia përshëndet angazhimin e Brukselit për integrimin evropian të rajonit" Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila qëndron në vizitë në Maqedoni, pas takimit me homologun e saj maqedonas, Gjorge Ivanov, deklaroi se Kroacia e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë integrimin e plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidetja Grabar-Kitaroviç u prit me nderime të larta shtetërore nga presidenti Ivanov në vilën presidenciale “Villa Vodno”. Në konferencën e përbashkët për media, presidentja kroate përshëndeti rekomandimin e Komisionit Evropian për Maqedoninë, duke shprehur bindje se pas kësaj do të intensifikohen bisedimet për integrimin evropian të këtij vendi.

“Fuqishëm e përshëndesim edhe angazhimin e Brukselit në rrugën evropiane të shteteve të rajonit, por edhe të Maqedonisë, edhe pse dikujt kjo nuk i konvenon, por fuqishëm e mbështes integrimin sa më të shpejtë”, u shpreh Grabar-Kitaroviç.

E pyetur mbi çështjen e mosmarrëveshjes mbi emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, presidentja kroate u përgjigj se Kroacia nuk merr pjesë të drejtpërdrejtë në bisedimet midis këtyre dy vendeve, por shtoi se mbështet zgjidhjen që do t’i zhbllokojë proceset.“Pajtohem se bisedimet duhet të intensifikohen dhe duhet të jepen propozime nga jashtë, mirëpo ato propozime për zgjidhje kurrë nuk duhet të imponohen”, u shpreh ajo.

Grabar-Kitaroviç foli edhe mbi bashkëpunimin dypalësh midis dy vendeve, për të cilën tha se është në një nivel të shkëlqyer, por shtoi se në Kroaci njihet komuniteti maqedonas, ndërsa ka edhe deputet të vetin në Parlamentin kroat dhe shprehu shpresë për institucionalizimin dhe studimin e gjuhës kroate në Maqedoni, që do t’i mundësojë komunitetit kroat në këtë vend ta zhvillojnë identitetin kombëtar dhe kulturor.

- Ivanov: Marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve, miqësore dhe pa çështje të hapura

Ndërkaq, presidenti Ivanov theksoi se në takimin me homologen e tij kanë konkluduar se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve janë miqësore dhe pa çështje të hapura.

Presidenti i Maqedonisë poashtu bëri të ditur se në takim janë diskutuar disa çështje, në veçanti për procesin e eurointegrimeve të Maqedonisë, për të cilën shprehu bindje se Kroacia do të vazhdojë të mbështes vendin e tij në këto procese dhe do të jetë zëri i këtij vendi për integrim në institucionet ndërkombëtare.

Ivanov përshëndeti rekomandimin e Komisionit Evropian për hapje të negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë, si dhe qëndrimin konstruktiv të Kroacisë se marrëdhëniet dypalëshe të rajonit të Ballkanit nuk duhet të jenë pengesë ndaj rrugës euro-atlantike.

“Në rajonin tonë ekziston përvojë pozitive për lëvizjen paralele të negocimit dhe gjendjes së zgjidhjeve të përbashkëta për çështje të hapura. Për këtë është shembull Kroacia dhe Sllovenia, të cilat mund të jenë shembull për Maqedoninë”, tha Ivanov, duke iu referuar mosmarrëveshjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Duke folur për bashkëpunimin midis dy vendeve, presidenti Ivanov tha se, “Mendoj se ekziston potencial jo i shfrytëzuar, veçanërisht në bashkëpunimin tonë ekonomik dhe presim që shkëmbimi tregtar këtë vit të jetë shumë më i madh në krahasim me vitin e kaluar, që Kroacia të jetë më së paku partneri ynë i pestë”.

Sipas tij, dëshmi e fuqishme për mbështetjen e Kroacisë dhe Sllovenisë për rajonin e Ballkanit është edhe Procesi Brdo-Brioni, nikoqire e së cilës këtë vit do të jetë Maqedonia. Ai theksoi ky takim liderësh mbetet e vetmja iniciativë autentike që inkurajon dialogun politik midis vendeve të rajonit dhe përmes së cilës dëgjohet zëri i rajonit në BE.

Lidhur mbi mosmarrëveshjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Ivanov duke marrë shembull marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Sllovenisë, theksoi se çështjet e hapura mund të zgjidhen paralelisht duke u mbajtur bisedimet për zgjidhje dhe për anëtarësim në BE.

Në kuadër të vizitës zyrtare, presidentja Grabar-Kitaroviç do të pritet edhe nga kryeparlamentari Talat Xhaferi. Ajo gjatë ditës së nesërme do të marrë pjesë në takimin zyrtar të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brioni, i cili do të mbahet në Shkup dhe ku është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentit të Komisionit Evropian, Donald Tusk.

Procesi Brdo-Brioni për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativën e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë. Iniciativa u emërua “Procesi Brdo-Brioni” për shkak të idesë së përbashkët të të dy presidentëve për organizimin e saj.

Brdo rrjedh nga Brdo pri Kranju, ku edhe u mbajt takimi i parë i liderëve rajonalë dhe Brijuni në nder të bashkëorganizatorit dhe partnerit të krijimit të kësaj nisme, Kroacisë. Qëllimi i iniciatorëve është integrimi evropian i vendeve të rajonit dhe stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimit të çështjeve të pazgjidhura.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.