BALLKANI

Michel: Duam të vazhdojmë përpjekjet për afrimin e BE-së me Shqipërinë

"Jemi të vetëdijshëm që hapja e negociatave nuk është fundi i përpjekjeve tona, por është fillimi i një faze të re dhe të gjatë përpjekjesh dhe kemi besim se në këtë përpjekje kemi dhe mbështetjen e Belgjikës dhe të miqve dhe partnerëve

Saimir Alija  | 23.04.2018 - Përdıtësım : 24.04.2018
Michel: Duam të vazhdojmë përpjekjet për afrimin e BE-së me Shqipërinë Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, i cili qëndron për vizitë në Shqipëri, pas takimit me kryeministrin e vendit, Edi Rama, tha se dëshirojnë të vazhdojnë përpjekjet për afrimin e Bashkimit Evropian (BE) me Shqipërinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij shqiptar, Michel theksoi se ka një vendosmëri për të punuar së bashku për të forcuar dhe konsoliduar marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat.

“Gjatë takimit identifikuam disa iniciativa konkrete dhe ekipet tona diplomatike do të punojnë për t'i thelluar edhe më shumë në kuadrin dypalësh përpjekjet në fushën ekonomike, për investitorët, botën akademike, botën kulturore, për të forcuar bashkëpunimin reciprok dhe për të ushqyer këtë partneritet të fortë që na bashkon”, tha Michel.

Përsa i përket emigracionit ilegal, Michel tha se Belgjika e konsideron Shqipërinë një vend të sigurtë dhe se duhet të punojnë së bashku për ta ndaluar këtë fenomen.

“Një pikë tjetër diskutimi ishte edhe ambicia që kemi për të luajtur një rol kyç në të ardhmen e BE-së, duke mbështetur reformat që duhen ndërmarrë për të forcuar dinamizmin ekonomik, për të forcuar investimet, përmirësuar sigurinë e jashtme dhe të brendshme, për të menaxhuar çështjen e emigracionit, por kjo e ardhme e BE-së kalon nëpërmjet një vizioni dhe më të qartë të marrëdhënieve tona me vendet e rajonit të Ballkanit”, tha Michel.

Lidhur me rekomandim e Komisionit Evropian (KE) për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, Michel tha se me shumë vendosmëri dëshirojnë në një mënyrë apo një tjetër të vazhdojnë përpjekjet për afrimin e BE-së me Shqipërinë.

- Rama: Me marrjen e rekomandimit nis një fazë e re për vendin

Kryeministri Ramam, nga ana e tij theksoi se gjatë takimit është diskutuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe përpjekjet e përbashkëta për të rritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Duke folur për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Rama deklaroi se, “Sot biseda u përqendrua tek progresi i bërë në adresimin e prioriteteve kryesore që e lidhin Shqipërinë me destinacionin evropian, si dhe për raportin dhe rekomandimin pozitiv pa kushte të Komisionit Evropian. Ndamë mendimin se me marrjen e rekomandimit nis një fazë e re për vendin, sepse gjithë procesi i integrimit është një proces për vendin dhe për ardhmërinë e tij bazuar në një shtet modern dhe institucione demokratike, për të cilat ndihmon jashtëzakonisht ky proces”.

Ndërsa lidhur me perspektivën evropiane të Shqipërisë, Rama theksoi se, “Jemi të vetëdijshëm që hapja e negociatave nuk është fundi i përpjekjeve tona, por është fillimi i një faze të re dhe të gjatë përpjekjesh dhe kemi besim se në këtë përpjekje kemi dhe mbështetjen e Belgjikës dhe të miqve dhe partnerëve tanë evropianë".

Duke u ndalur tek bashkëpunimi rajonal, Rama tha se me Michel kanë diskutuar edhe për ecurinë e bashkëpunimit rajonal.

“Diskutuam dhe për rajonin dhe ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal, për intensifikimin e marrëdhënieve rajonale. Nuk është rastësi që Michel ndaloi në Tiranë, por do të vazhdojë vizitën e tij më pas në Beograd, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje dhe inkurajimi për rrugën e re ku ka hyrë rajoni dhe për intensifikimin e marrëdhënieve dy dhe shumë palëshe mes vendeve të rajonit”, tha Rama.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryeministrit belg zhvilloi një takim edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Vizita e kryeministrit belg vjen disa ditë pasi Komisioni Evropian (KE) vendosi të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), për Shqipërinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın