Besar Ademi
30 Shtator 2018•Përditësim: 30 Shtator 2018
SHKUP (AA) - Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë ka bërë të ditur se në referendumin që parasheh ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE), jehona e votuesve deri në orën 18:30 është 34,09 për qind apo gjithsej 519.435 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i KSHZ-së, Oliver Derkoski, theksoi se këto rezultate janë nga 84,83 për qind e të dhënave të përpunuara nga institucioni që drejton ai, duke shtuar se, “Jehona e votimit nga qendrat e votimit që kanë arritur të dhëna është 34,09 për qind”.
Derkoski tha se gjatë ditës procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa, duke përjashtuar disa ndërprerje të shkurta për shkak të problemeve teknike dhe disa incideteve të vogla të cilat nuk kanë penguar procesin e votimit.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, jehona më e madhe e votuesve është regjistruar 67,62 për qind në komunën Saraj, ndërsa jehona më e vogël në komunën Novo Sellë 16,22 për qind dhe në komunën Ilinden 16,98 për qind.
Kjo ishte konferenca e fundit e rregullt për media nga gjithsej gjashtë të këtij institucioni, ku informuan për procesin dhe daljen e votusve. Me rezultatin paraprak të referendumit të sotëm, KSHZ pritet të dalë më vonë.
Gjithsej 1.806.836 qytetarë të Maqedonisë me të drejtë vote do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e tyre deri në orën 19:00 në 3.513 vendvotime në 80 komuna të vendit. Që referendumi të kalojë i suksesshëm, pjesëmarrja e votuesve duhet të jetë mbi 50 për qind nga numri i qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve.
Pyetja e referendumit, që është i treti me radhë në nivel shtetëror në 27 vite të pavarësisë së Maqedonisë, është “A jeni për në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”. Ky referendum vjen pas marrëveshjes në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.
Referendumi është konsultativ dhe ligjërisht nuk është i detyrueshëm. Megjithatë, qeveria maqedonase deklaroi se rezultati i referendumit do të konsiderohet i detyrueshëm. Në rast të një rezultati pozitiv të referendumit, vendimi përfundimtar për marrëveshjen me Greqinë do të miratohet nga Kuvendi i Maqedonisë, ku për ndryshime kushtetuese do të nevojitet vota e dy të tretave të deputetëve.
Pas përfundimit të këtij procesi në Maqedoni, nevojitet që marrëveshja të ratifikohet nga Parlamenti grek.