BALLKANI

Thaçi: Javët dhe muajt e ardhshëm vendimtarë për forcimin e shtetit të Kosovës

Thaçi ka theksuar se mirëpret përpjekjet për arritjen e një konsensusi maksimal, sa më të gjerë të mundshëm, për etapën tjetër apo për fazën finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë

Sibel Vezaj  | 25.04.2018 - Përdıtësım : 25.04.2018
Thaçi: Javët dhe muajt e ardhshëm vendimtarë për forcimin e shtetit të Kosovës Burimi: Presidenca e Kosovës

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mori pjesë në një konferencë të organizuar në Prishtinë së bashku me zv/kryeministrin e Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, ka deklaruar se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për shumë aspekte, përfshirë edhe për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se Thaçi në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i reformave, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian”, të organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, është shprehur se Kosova është storie e suksesit të plotë, duke rikujtuar se tanimë është votuar demarkacioni me Malin e Zi dhe ka filluar puna për funksionalizimin e Ekipit Menaxherial për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti kosovar ka theksuar se mirëpret përpjekjet për arritjen e një konsensusi maksimal, sa më të gjerë të mundshëm, për etapën tjetër apo për fazën finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe sot vazhdoj të jem i bindur se një marrëveshje ligjërisht obliguese është e nevojshme dhe është e domosdoshme për të dy vendet. Pse e them këtë... e them për arsye se ne nuk duhet të bëhemi pengesë për njëra-tjetrën, as Kosova, as Serbia, për të ardhmen evropiane. Një marrëveshje e tillë e lehtëson të ardhmen evropiane të dy vendeve, por edhe e dërgon mesazhin më të mirë për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi.

- Osmani: BE mbetet partneri natyral i vendeve të Ballkanit Perëndimor

Ndërkaq, zv/kryeministri Bujar Osmani, në fjalën e tij në konferencë, thuhet në njoftimin nga kabineti i tij, ka deklaruar se “Bashkimi Evropian (BE) mbetet i vetmi partner natyral i vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Gjatë fjalës së tij në panelin “Strategjia e Zgjerimit të BE-së dhe Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor”, Osmani ka theksuar se për anëtarësimin në BE nevojiten ndryshime esenciale tek vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse mendojmë prejardhjen tonë historike, ku jemi, në terma gjeografikë dhe ku duam të jemi në të ardhmen, ne nuk duhet të shkojmë askund, ne tashmë jemi aty ku edhe duam të jemi, ne jemi në Evropë”, ka deklaruar Osmani.

Duke folur për Samitin për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm në Sofje, Osmani shprehu shpresën se ky samiti do të sjell impuls pozitiv në raportet midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Vazhdimi i procesit të zgjerimit të BE-së, gjegjësisht kyçja e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, do të kontribuojë për një Evropë më të fuqishme, më të sigurt në përgjithësi, e cila do të bazohet në vlerat e përbashkëta, në demokraci, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore” përfundoi Osmani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.