BALLKANI

Turqia ofron ndihmë për familjet e prekura nga përmbytjet në Shqipëri

"Nga Qeveria e Turqisë është shprehur gatishmëria maksimale jo vetëm në ekspertizë, por edhe në ndihma financiare që të bëhet një planifikim sa më i mirë i planeve konkrete me qëllim parandalimin e përmbytjeve"

Fatjon Cuka  | 24.03.2018 - Përdıtësım : 25.03.2018
Turqia ofron ndihmë për familjet e prekura nga përmbytjet në Shqipëri ( Olsi Shehu / AA )

Tiranë

SHKODËR (AA) - Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen dhe ndihmat për Shqipërinë, ku ka ofruar ndihma ushqimore për mijëra persona të prekur nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e dorëzimit të ndihmave nga TIKA, në takimin e zhvilluar në Prefekturën e Shkodrës ishte e pranishme zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok dhe drejtues të Bashkisë së Shkodrës.

Mesi, në një prononcim për mediat tha se sa herë që Qeveria e Shqipërisë ka pasur nevojë dhe ka shprehur interesim dhe projekte konkrete, Turqia ka treguar bashkëpunim dhe ka ofruar ndihmë.

"Turqia nëpërmjet TIKA-s apo Drejtorisë së Vakëfeve është prezent në shumë ndihma dhe në shumë investime në Shkodër. Në takimin zyrtar dhe miqësor që kishte kryeministri Rama me presidentin Erdoğan në Turqi kanë diskutuar edhe problematikën e përmbytjeve. Nga Qeveria e Turqisë është shprehur gatishmëria maksimale jo vetëm në ekspertizë, por edhe në ndihma financiare që të bëhet një planifikim sa më i mirë i planeve konkrete me qëllim parandalimin e përmbytjeve", tha Mesi.

Ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, duke folur për mediat theksoi se është informuar nga autoritetet shqiptare për situatën e përmbytjeve në Shqipëri dhe për nevojat më urgjente. Ai theksoi se nëpërmjet TIKA-s kanë ofruar materiale dhe produkte që janë të nevojshme në këtë situatë për familjet e prekura nga përmbytjet.

"Kemi ardhur sot në Shkodër për të shprehur solidaritetin tonë të përhershëm me Shqipërinë, me këtë vend vëlla dhe mik. Kemi ardhur për të zgjatur dorën e ndihmës banorëve të Shkodrës. Nëse do të jetë e nevojshme në të ardhmen, Republika e Turqisë është e gatshme për të ndihmuar vëllezërit shqiptarë nëpërmjet TIKA-s, Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile të Turqisë. Gjithmonë do të jemi pranë vëllezërve tanë shqiptarë, pranë vëllezërve tanë shkodranë", tha ambasadori Yörük.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, tha se shpërndarja e ndihmave të ofruara nga TIKA fillon sot.

TIKA ka ofruar pako me ushqime për 2.500 persona, ku përfshihen sheqer, vaj, fasule, oriz, kripë, si dhe 50 tonë ushqime për bagëtitë.

Kujtojmë se Shkodra dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë gjatë ditëve të fundit u përfshinë nga përmbytjet, për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın