BALLKANI

Tusk: Dialogu Kosovë - Serbi nuk ka alternativë tjetër

Tusk, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Kosovës rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE) për perspektivën evropiane të rajonit

Figen Shaban  | 26.04.2018 - Përdıtësım : 27.04.2018
Tusk: Dialogu Kosovë - Serbi nuk ka alternativë tjetër Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Presidenti i Këshillit Evropian (KE), Donald Tusk, deklaroi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë tjetër të qëndrueshme për normalizim të marrëdhënieve, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i KE-së, i cili po qëndron sot në Kosovë në kuadër të udhëtimit të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor zhvilloi një takim me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Tusk, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Kosovës rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE) për perspektivën evropiane të rajonit.

Ai foli për qëllimin e vizitës së tij që ka të bëjë me përgatitjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Sofje më 17 maj, ku tha se samiti duhet të përmirësojë lidhjet e BE-së me rajonin dhe ato brenda rajonit sa i përket transportit, energjetikës apo lidhjet digjitale.

Tusk theksoi se Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm me ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, sipas tij, për të iu afruar regjimit të liberalizimit të vizave. Ndërsa ai kërkoi që të ketë angazhim ndërpartiak dhe konsensus politik për interesin e Kosovës edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai tha se BE-ja i çmon lartë të arriturat e Kosovës për të cilat u shpreh se mund të shërbejnë si model edhe për fqinjët.

Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Tusk tha se pa normalizim gjithëpërfshirës dhe pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve nuk mund të ndryshojnë dhe përmirësohen marrëdhëniet me BE-në.

"Unë e di që kjo është një çështje e ngarkuar emocionalisht dhe shumë e vështirë për të dyja palët, por nuk ka alternativë tjetër të qëndrueshme për normalizimin. Në fakt bëhet fjalë për një vendim strategjik për të cilin jam 100 për qind i bindur që do të shpaguhet në afat të gjatë", tha Tusk.

- Thaçi: Kosova ka nevojë për konkretizim të perspektivës evropiane

Ndërsa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pret që Samiti i Sofjes të nxisë edhe një reflektim për rëndësinë strategjike të integrimit të Kosovës në BE.

"Ajo që është e qartë është se Kosova ka një nevojë urgjente për të përshpejtuar hapat drejtë anëtarësimit në BE. Kosova është e bekuar sepse reflekton një mbështetje qytetare masive në raport me BE-në dhe vlerave perëndimore. Mirëpo Kosova ka nevojë për konkretizim të perspektivës së vetë evropiane. Aspirata jonë minimale është që në një periudhë sa më të shkurtër të marrim statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, tha presidenti Thaçi.

Sa i përket procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar dhe udhëhequr nga BE-ja, Thaçi tha se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. Ai theksoi se po ashtu janë të përkushtuar edhe për lëvizjen drejtë një marrëveshjeje përfundimtare të obligueshme ligjërisht që do të mundësojë njohje reciproke dhe integrim më të shpejtë edhe për Kosovën edhe për Serbinë në familjen evropiane.

Thaçi bëri të ditur që dialogu me Serbinë do të jetë një nga çështjet më të rëndësishme që do të diskuton në takimin me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel në Berlin, më 9 maj, në Ditën e Evropës.

Tusk vizitoi Prishtinën pas vizitave të tij në Beograd, Tiranë dhe Podgoricë me qëllim të përgatitjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Sofje më 17 maj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın