Shkup
Në seancën e 32-të të mbajtur sot, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi të mbajë seancë përgatitore lidhur me iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe të kërkojë Amicus curiae, respektivisht një "këshillë miqësore" nga Komisioni i Venedikut, raporton Anadolu.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një konferencë për media pas përfundimit të seancës, theksoi se bëhet fjalë për çështje të kontestuar juridike dhe në të njëjtën kohë temë delikate, duke shtuar se qëllimi i vendimit është ballafaqimi i argumenteve, si dhe t'u vërtetohet qytetarëve se Gjykata Kushtetuese nuk i nënshtrohet asnjë lloji të presionit.
Sipas Kostadinovskit, seanca përgatitore pritet të mbahet në mars të vitit të ardhshëm.
- Rasti më i vjetër në Gjykatën Kushtetuese
Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018. Në vitin 2019, kur ligji hyri në fuqi, ai u kontestua në Gjykatën Kushtetuese me gjithsej 12 iniciativa, të paraqitura nga qytetarë, juristë, profesorë universitarë dhe parti politike. Gjykata Kushtetuese i bashkoi të gjitha nismat në një rast.
Kostadinovski deklaroi se Gjykata Kushtetuese ka për detyrë të veprojë për çdo rast për të cilin është ngritur iniciativë, duke shtuar se nuk ka arsyetim pse Gjykata Kushtetuese nuk ka vepruar për këtë rast gjatë viteve të kaluara.
Ai ka theksuar se ky është rasti më i vjetër në Gjykatën Kushtetuese, duke shtuar se ky rast më në fund është duke u proceduar.
- Diskutohet për mënyrën e përdorimit të gjuhëve, jo për të drejtën e përdorimit të tyre
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ishte i prerë kur tha se po diskutohet mënyra e përdorimit të gjuhës, konkretisht gjuhës shqipe, dhe jo e drejta e përdorimit të saj.
Siç theksoi ai, e drejta e përdorimit të gjuhëve garantohet me Kushtetutë, ndërsa nismat i referohen mënyrës së përdorimit të gjuhëve.
Kostadinovski u ankua për sjellje të papërshtatshme të partive politike dhe përpjekje për të ushtruar presion mbi punën e Gjykatës Kushtetuese.
Ai porositi të gjithëve që të mos përpiqen të pengojnë sundimin e ligjit dhe të bëjnë ndikim apo manipulim politik.
"Gjykata Kushtetuese ka kompetenca të qarta që rrjedhin nga Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese është kujdestare e Kushtetutës dhe e mban atë në atë formë siç është. Me ruajtjen e Kushtetutës, ne ruajmë rendin, dhe alternativa nga kjo është hyrja në çrregullim, e çdo çrregullim krijon kaos", tha Kostadinovski.
Ai tha se vendimi i sotëm në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si dobësi apo nënshtrim ndaj presionit të dikujt.
"Vendimi ynë i sotëm thjesht duhet të interpretohet si akti më i lartë i një qasjeje të përgjegjshme, respekti dhe detyrimi më të lartë ndaj qytetarëve, për të mos lejuar që ata të manipulohen dhe gënjehen nga politikanët", tha Kostadinovski.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.