BALLKANI

Kosovë, Prokuroria Speciale fton kryeministrin Albin Kurti për dëshmi

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës tha se përmes kësaj ftese, po tentohet të ndikohet në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025

Agim Sulaj  | 11.12.2024 - Përdıtësım : 11.12.2024
Kosovë, Prokuroria Speciale fton kryeministrin Albin Kurti për dëshmi

Prishtinë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka dërguar ftesë për dëshmi kryeministrit Albin Kurti, transmeton Anadolu.

Këtë ftesë nga Prokuroria e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu,

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, ka shkruar Kryeziu në rrjetet sociale.

Kryeziu tha se përmes kësaj ftese, po tentohet të ndikohet në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, shtoi Kryeziu.

Ndërkaq, në letrën e Prokurorisë Speciale drejtuar kryeministrit Kurti thuhet se ai, në cilësinë e dëshmitarit, duhet t’i përgjigjet thirrjes më 16 dhjetor nga ora 9:30.

“Në mbështetje të nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’ju jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro. Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”, thuhet në letrën e Prokurorisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.