Agim Sulaj
09 qershor 2026•Përditësim: 09 qershor 2026
Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar si reagim ndaj mosalokimit të plotë të pagave për muajin qershor, raporton Anadolu.
Me mesazhet “Duam pagat tona”, “Mos ndëshkoni informimin publik”, “Rrogën tonë e kërkojmë”, tri organizata sindikale së bashku: Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, shprehën pakënaqësinë për gjendjen e transmetuesit publik.
Ata kërkuan ekzekutimin e menjëhershëm të pjesës së mbetur të pagave dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve. Protesta u përkrah edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët thanë se çdo vonesë apo mosekzekutim i plotë i pagave cenon drejtpërdrejt sigurinë ekonomike dhe dinjitetin e punëtorëve.
Përfaqësuesi i sindikatave, Veton Rugova tha se protesta është organizuar për mbrojtjen e dinjitetit të punëtorëve të RTK-së. Ai tha se pas çdo punëtori të RTK-së qëndron një familje dhe paga është mjeti me të cilin secili mbanë familjen dhe siguron jetesën.
"Sot kërkojmë përgjegjësi nga ata që kanë pasur detyrimin ta drejtojnë dhe ta mbrojnë këtë institucion. Heshtja, vonesat dhe mungesa e veprimit nuk janë zgjidhje. Punëtorët meritojnë përgjigje dhe meritojnë paga", tha Rugova.
Ai tha se do të presin deri të premten për një reagim konkret dhe për zgjidhjen e kësaj situate, por, nëse deri të premten nuk ka veprime konkrete nga Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së, atëherë nga e hëna do të vazhdohet me protesta dhe veprime të tjera sindikale.
Të premten e javës së kaluar, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu kishte njoftuar për realizimin e pagesës së pjesshme të pagave, në vlerë prej 50 për qind për secilën kategori të stafit.
Në njoftimin e së premtes thuhej se pjesa e mbetur e pagave do të ekzekutohet brenda kësaj jave derisa Spahiu ka falënderuar punonjësit për mirëkuptimin, durimin dhe mbështetjen gjatë kësaj "periudhe sfiduese për RTK-në".