Politikë, Bota

Analisti izraelit: Netanyahu heziton t'i japë fund luftës në Gaza, shkaku i presionit nga aleatët politikë

Caspit tha se kërcënimi i Hezbollahut ndaj Izraelit është shumë më i madh se i Hamasit, duke vënë në pikëpyetje pse Izraeli nxitoi për armëpushim në Liban derisa zvarriti situatën në Gaza

Ikrame Imane Kouachi  | 29.11.2024 - Përdıtësım : 29.11.2024
Analisti izraelit: Netanyahu heziton t'i japë fund luftës në Gaza, shkaku i presionit nga aleatët politikë

Kuds

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, sipas analistit izraelit Ben Caspit, po heziton t'i japë fund luftës së vazhdueshme në Rripin e Gazës, kryesisht për shkak të presionit nga aleatët e tij politik, transmeton Anadolu.

Në një shkrim për gazetën izraelite "Maariv", Caspit tha se kërcënimi i Hezbollahut ndaj Izraelit është shumë më i madh se i Hamasit, duke vënë në pikëpyetje pse Izraeli nxitoi për një armëpushim në Liban derisa zvarriti situatën në Gaza.

"Në fund të fundit, arritja në Gaza është shumë më e qartë. Kundërshtari është më i dobët, Hamasi është zvogëluar ndjeshëm dhe nuk po funksionon më si një entitet ushtarak", shkroi ai.

Përgjigjja, sipas tij, qëndron në dinamikën politike brenda koalicionit. "Një armëpushim në Gaza do të rrëzonte koalicionin e Netanyahut ndërsa një armëpushim në Liban jo", tha Caspit.

Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, të dy nga e djathta ekstreme e politikës izraelite, kërcënuan se do të largohen nga koalicioni deri në "fitoren totale" ndaj Hamasit. Ata bënë thirrje vazhdimisht që Izraeli të ripushtojë Gazën, të krijojë vendbanime atje dhe të inkurajojë zhvendosjen vullnetare të palestinezëve.

Lidhur me pengjet izraelite të mbajtura në Gaza, Caspit tha se "101 pengjet në Gaza kanë rëndësi për Ben-Gvirin dhe Smotrichin sa një thelb hudhër. Do të ishte mirë nëse do t'i kthenim, por jo në kurriz. Për stabilitetin e qeverisë, a tingëllon vërtet brutale?".

"Në çdo kohë tjetër, Netanyahu do t'i kishte dërguar në ferr vendbanimet në Gaza, Ben-Gvirin, dhe Smotrichin, por tani në këtë epokë ai mbështetet në to për mbijetesën e tij politike", tha analisti politik.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 44 mijë palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka shkatërruar enklavën palestineze.

Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën brutale kundër Gazës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.