Aysu Biçer
29 Gusht 2023•Përditësim: 30 Gusht 2023
Pasagjerët e fluturimeve ajrore u paralajmëruan për vonesa të mundshme më të gjata të fluturimeve pasi një defekt teknik në sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Britaninë e Madhe shkaktoi pengesa tek qindra mijëra pasagjerë të hënën, raporton Anadolu.
Pasagjerët që ktheheshin në vend dhe ata që synonin të udhëtonin nga aeroportet e Britanisë së Madhe u përballën me anulime dhe vonesa deri në 12 orë për shkak të një defekti teknik në sistemin e kontrollit të trafikut ajror.
Për shkak të defektit teknik janë anuluar 500 fluturime dhe shumë pasagjerë janë përballur me vonesa të konsiderueshme.
Shërbimi Kombëtar i Trafikut Ajror i Britanisë (NATS) tha se po punonte për të rregulluar problemin.
"Jemi në bashkëpunim të ngushtë me kompanitë ajrore dhe aeroportet për të menaxhuar fluturimet që janë ndikuar në mënyrë sa më efikase të jetë e mundur. Inxhinierët tanë do të monitorojnë nga afër performancën e sistemit ndërsa ne i kthehemi funksionimit normal", tha NATS.
British Airways ka njoftuar se pasagjerët që planifikojnë të udhëtojnë të martën mund të ndryshojnë fluturimet pa kosto shtesë.